Lajmet e fundit

Kryetarja e Lobit Rajonal të Grave, Edita Tahiri, ka thënë se edhe më tutje beteja kryesore e grave është barazia gjinore në vendimmarrjen politike.
Në këtë intervistë për “Epokën e re” ajo ka kërkuar të ketë më shumë gra në qeverisje si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror.
“Pozita e grave në gjithë botën është ende në nivelin jo të duhur. Edhe në Kosovë, përkundër rritjes së rolit të grave, nuk ka një nivel të duhur të fuqizimit të tyre në vendimmarrje. Gratë janë të interesuara që fuqizimin e tyre ta shohin në të gjitha fushat dhe në të gjitha nivelet. Prandaj kërkojmë të ketë më shumë gra si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror. Kjo është sfida dhe beteja jonë që të kemi barazi gjinore në vendimmarrjen politike”, ka deklaruar Tahiri.
Ajo ka thënë se ka një zhvillim të pozitës së grave, por ka një paqëndrueshmëri që tregon se shoqëritë dhe shtetet, ndonëse i kanë miratuar ligjet për barazi gjinore, megjithatë çështja e fuqizimit të grave më tepër është në nivel deklaratash sesa e përkthyer në zbatim praktik të ligjeve.
“Në Qeverinë e kaluar kanë qenë tri femra, kurse tani janë dy, por kjo dukuri e një fuqizimi të paqëndrueshëm të grave po ndodh jo vetëm në Kosovë, por gati në të gjitha vendet e botës”, ka theksuar Tahiri.
Ajo ka vlerësuar se në vend që gratë t’i udhëheqin proceset për tejkalimin e krizës politike, disa deputete pranuan që të përdorin mjete të dhunës për ta shprehur protestën.
Sipas Tahirit, këto veprime e kanë dëmtuar imazhin e gruas politikane dhe nuk i ndihmojnë agjendës së gruas.
Në Kosovë u ballafaquam me dukurinë ku disa gra deputete pranuan që të përdorin mjete të dhunës për ta shprehur protestën. Me veprimet e dhunshme ato kanë dëmtuar imazhin e gruas politikane. Jemi në kërkim të përkrahjes botërore për të marrë vendin tonë në vendimmarrje, prandaj këto metoda të dhunës nuk e ndihmojnë agjendën e gruas”, është shprehur Tahiri, duke shtuar se dhuna që është përdorur për të protestuar e ka dëmtuar Kosovën, kurse bllokimi i Kuvendit po i vonon proceset që kemi përpara si shtet.