Lajmet e fundit

Pas suksesit në kinematë e huaja dhe gjashtë çmimesh në festivale të rëndësishme, filmi“Babai” i regjisorit kosovar Visar Morina mbërrin në Tiranë. Filmi do të përmbyllë edhe edicionin e trembëdhjetë të Tirana International Film Festival sonte në mbrëmje.
Nga Suadela Balliu
Peshën prej njëqind e katër minutash të kohëzgjatjes së filmit, duket se aktori 10 –vjeçar nga Kosova, Val Maloku e ka mbajtur mbi supe më së miri… Me një portret që shpreh shumë edhe kur nuk ka dialog, duket se regjisori nga Kosova, Visar Morina ka ditur të zgjedhë mes tre mijë fëmijëve të paraqitur në audicion për rolin e Norit në filmin “Babai”, i pari me metrazh të gjatë i regjisorit. Pas suksesit në kinematë e huaja dhe gjashtë çmimesh në festivale të rëndësishme, filmi “Babai” i regjisorit kosovar, Visar Morina, mbërrin në Tiranë. Pas shfaqjes për mediat ditën e djeshme, filmi do të përmbyllë edhe edicionin e trembëdhjetë të Tirana International Film Festival sonte në mbrëmje. Filmi analizon marrëdhënien atë e bir, një marrëdhënie që zhvillohet në atmosferën e emigracionit në Kosovën e viteve ’90, me praninë frikësuese të autoriteteve të shtetit serb, disa vjet përpara konfliktit të armatosur. Asgjë romantike e as sentimentale –përveç dramës së brendshme që zhvillon një fëmijë nga frika e braktisjes. Një mama që mungon e bën Norin të krijojë një lidhje të ngushtë me të atin, Gëzimin, edhe pse ky i fundit nuk shfaq një baba të dhembshur e as nuk artikulon dashurinë, megjithëse është i pranishëm dhe i përkushtuar ndaj të birit. I detyruar të shesë cigare në rrugët e qytetit –në biznes ka përfshirë edhe të birin –dhe jetesa thuajse nomade ( ata strehohen mbrëmjeve tek familja e të afërmit Adem, i interpretuar nga Enver Petrovci, i cili edhe pse në rol dytësor i jep fuqi zhvillimeve duke u struktura si një prej shtyllave të subjektit ) e bëjnë babain ta shohë shpëtimin dhe sigurimin e së ardhmes jashtë Kosove. Aktori Astrit Kabashi ka arritur të sjellë lëndën thuajse pa jetë të një burri pa personalitet, i dobët për të vendosur autoritet edhe tek i biri, i pazoti t’i shpëtojë kushteve në të cilat jeton. Baca Adem ( Petrovci) e quan njeri të butë që ka rritur një fëmijë të llastuar. Kjo është arsyeja, thotë ai, që edhe e shoqja e ka braktisur. Pas disa përpjekjeve pas sukses –ku pengesë bëhet i biri Nori, i gatshëm t’i dalë edhe autobusit përpara vetëm e vetëm të ndalojë këtë udhëtim të të atit –Gëzimi largohet drejt Gjermanisë.
Por Nori do ta ndjekë me çdo kusht. Për t’ia dalë qëllimit i duhet të rritet. Nëse qëllimi do të justifikonte mjetin, dëshira e pandalshme e të voglit për t’i u bashkuar babait e kthen atë në hajdut ( duke i vjedhur paratë e dasmës së të birit bacës Adem, por edhe pushkën).
Kur njerëzit luftojnë për mbijetesë mirësia duket se është e para që sakrifikohet. Realiteti vjen i pazbukuruar, ndërsa drama rrjedh natyrshëm, pa pasur nevojë të ekzagjerohet.
Djaloshit dhjetë vjeçar i duhet të përballet me fytyrën më pak miqësore të shoqërisë, me njerëz që e grabisin dhe e keqtrajtojnë. Valentina (Adriana Matoshi), gruaja së cilës ai i beson e në një farë mënyrë është figura amësore në jetën e Norit, e grabit dhe më pas i zbërthen rripin e sigurisë në varkën me të cilën lundrojnë ilegalisht drejt brigjeve të huaja. Ngjarjet më pas zhvendosen drejt Gjermanisë. Ritakimi me të atin e bën të voglin të shpërthejë në mëri e më pas të kuptojë në pamundësinë e të atit për t’ia dalë, brishtësinë e një burri i cili nuk del dot nga kurthi i vetes.
Nëse përpjekjet e dëshpëruara të netëve për të gjetur një vend fjetjeje brenda kampeve të refugjatëve apo strehimoreve evokon disi filmin “The pursuit of happyness”, marrëdhënia atë e bir nuk është ajo që shohim në interpretimin e Will dhe Jaden Smith. Më shumë sesa babai që i jep kurajë të birit për të mos u mposhtur nga sfidat që jeta i vë përpara e për t’i dalë, te “Babai” është Nori 10 –vjeçar që kupton se i ati nuk mund të jetë hero, veçse një burrë i dobët.
Duket se zbulimi më i madh i Norit nuk është rrugëtimi i rrezikshëm në bagazhe autobusësh, në gomone të rrezikshme që lundrojnë natën në det, apo i strukur në kamionë mbushur me të panjohur, por është çasti kur sheh një burrë gjerman sesi përkëdhel me dashuri një këlysh. Përkëdhelje që ai nuk e kish marrë kurrë nga i ati, ose që tradita shqiptare sikur ua mohon djemve. Megjithëse në film nuk mungojnë detajet e traditave dhe zakoneve shqiptare, kryesisht e jetesës në fshat; familjet e mëdha me patriarkë, dasmat e majme, për të cilat duhet të sakrifikosh kursimet e një jete, regjisori sjell një fëmijë që bën sipas kokës së vet e me personalitet të fortë, aq sa edhe të godasë të atin me karrige në ritakimin e tyre në Gjermani apo t’i hedhë në fytyrë lëngun e pijes së gazuar, në shenjë proteste kur ai e godet. Regjisori Visar Morina e ka mbajtur aksionin në sytë e një fëmije. Imazhe të cilat ai i ruante të gjalla në kujtesën e tij si fëmijë i viteve ’90 në Kosovë e më pas përvoja e emigrimit në moshën 15-vjeçare drejt Gjermanisë, ku më pas ai u formua edhe profesionalisht. “Unë kam lindur dhe jam rritur në Kosovë, në periudhën e cila paraqitet në film, kështu që është diçka që e njoh. Ka shumë gjëra të asaj periudhe që më duken shumë interesante dhe të veçanta. Askush nuk e dinte se çka do të ndodhte. Frika, së paku te ne fëmijët ishte pjesë e jetës tonë të zakonshme. Aq e zakonshme sa që nuk është folur për të. Mandej ora policore, protestat me çelësa. Më kujtohet një rast kur unë isha i sëmurë dhe në rrugë për në spital na ndali policia pasi ishte orë policore. Në fund policët nuk na bënë asgjë, por na mjaftoi frika që na shkaktuan kur na ndalën. Megjithatë e konsideroj fëmijërinë time si kohë të lumtur, është e çuditshme për situatën aq jo njerëzore. Rrethana dhe tema e filmit “Babai”, është tërësisht kosovare. Në fakt, filmi do të konsiderohet si film kosovar”, – është shprehur në një intervistë para disa kohësh regjisori Visar Morina.
Filmi i realizuar në katër shtete –Gjermani, Kosovë, Maqedoni e Francë –është cilësuar si një prej filmave më të kushtueshëm kosovar i realizuar deri tani. “Filmi ka kushtuar një milionë e gjysmë euro, ndërsa Qendra kinematografike e Kosovës ka mbështetur me 200 mijë euro filmin. Pjesa më e madhe e fondeve është siguruar në Gjermani” – është shprehur dje gjatë konferencës për mediat producenti i filmit, Visar Krusha, i cili shoqërohej nga aktorët Astrit Kabashi dhe Adriana Matoshi. Të dy aktorët u shprehën të lumtur për këtë bashkëpunim me regjisorin Morina, i cili në punë ka qenë shumë kërkues. Për shkak të angazhimeve, Visar Morina nuk mundi të jetë në Tiranë për premierën shqiptare të filmit gjatë Edicionit të 13-të të TIFF e po ashtu mungonte edhe aktori Val Maloku, i cili interpreton Norin pasi kohët e fundit ka udhëtuar drejt Hollivudit për xhirimet e një seriali amerikan në krah të aktorit Sean Bean. Duket se interpretimi i fuqishëm në filmin 104 minutash i ka hapur të riut pa përvojë, rrugën drejt kinemasë. Pasi ka fituar disa çmimet në “Filmfest Mynih”, “Vary International Film Festival” dhe “KarlovyVary”, filmi “Babai” është propozimi i Kosovës për kategorinë “Filmi më i mirë i huaj” në çmimet Oscar, ceremonia e të cilit mbahet shkurtin e vitin që vjen./Mapo