Lajmet e fundit

Në vendimet e reja Qeveria ka vendosur që procesi mësimor të zhvillohet në shkolla nga klasa e parë deri në të pestë, në shkolla, ndërsa për klasat e larta është thënë se do të mbajnë mësim të kombinuar apo online.
Në lidhje me fillimin e procesit mësimor kryetari i komunës, Bali Muharremaj ka mbajtur takim me degën e SBASHK-ut në këtë komunë, njofton Klan Kosova
Muharremaj nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook thotë se janë të pajtimit që ky proces të nis në shtator, por se duhen respektuar masat dhe rregullat e caktuara nga institucionet shëndetësore.
Sipas tij është e rëndësishme që mësimi të zhvillohet, pasi që do të ishte dëm i madh që gjeneratat e reja të humbin kaq shumë.
Postimi i plotë i Muharremajt:
Sot u takuam me kryesinë e SBASHK-ut dega në Suharekë, ku biseduam për fillimin e procesit mësimor në muajin Shtator.
Ne jemi të mendimit që procesi mësimor duhet të filloj, natyrisht me respektimin maksimal të rregullave të caktuara nga institucionet shëndetësore.
Është shumë e rëndësishme që procesi mësimor të zhvillohet sipas plan-programit, sepse do të ishte dëm i madh që gjeneratat të humbin kaq shumë nga angazhimi i mirëfilltë edukativo-arsimor.