Lajmet e fundit

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti u prit sot në vizitë nga Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, me ç’rast nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi për realizimin e Programit Nacional për Rininë në këtë komunë.
“Programi Nacional për Rininë është hartuar për të gjithë nxënësit e Republikës së Kosovës të nivelit fillor, të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë. Në kuadër të këtij programi do të organizohen gara në tri fusha kryesore: dituri, kreativitet kulturor dhe mendim kritik si dhe në sport. Për të trija fushat janë përgatitur udhëzuesit për rrjedhën e garës. Roli i komunës në realizimin e këtij programi është shumë i rëndësishëm prandaj ju falënderoj për mbështetje”, ka thënë Hoti.
Muharremaj shprehu gatishmërinë për realizimin e Programit Nacional për Rininë.
“Ne jemi të interesuar të ndryshojmë gjendjen në arsim dhe besoj se përmes këtij programi do të arrihet një rezultat i mirë. Ju do ta keni përkrahjen maksimale nga Komuna e Suharekës për këtë program”.
Koordinatori Hoti në këtë takim ishte i shoqëruar nga zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Leonora Morina-Bunjaku si dhe zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Azem Guri.
“MKRS e mbështet Koordinatorin veçmas në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit. Ne do të fokusohemi më shumë në ndihmën infrastrukturore për të cilën MKRS e ka buxhetin e vet”, ka deklaruar Morina-Bunjaku.
Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet KNKRS dhe Komunës së Suharekës përcakton angazhimet e ndërsjella të palëve nënshkruese për implementimin e Programin Nacional për Rininë dhe për organizimet e përbashkëta të aktiviteteve që kanë të bëjnë me diturinë, kreativitetin kulturor dhe mendimin kritik, si dhe sportin.