Lajmet e fundit

Delegacionit të Prishtinës në Këshillin e Evropës, në të ardhmen mund t'i bashkangjiten edhe përfaqësues të serbëve nga Kosova. Në projekt rezolutë, rreth së cilës do të diskutohet të enjten, është propozuar që në ekip të Prishtinës të përfshihen edhe pakicat, shkruan gazeta serbe Novosti.
Sipas kësaj gazete, Prishtina që nga viti 2013 ka të drejtë për dy përfaqësues politikë nga Kuvendi, të cilët mund të marrin pjesë në punën e komisioneve të ndryshme, me të drejta në të folur, por pa të drejtë vote, ndërsa në seancat plenare të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës nuk kanë të drejtë as për të folur dhe as për të votuar.
Asambleja Parlamentare dje e ka filluar seancën e rregullt të dimrit dhe nëpër korridore sërish është hapur tema – a kërkohet një rrugë e shkurtë për të hyrë në këtë institucion.
Mediat serbe shkruajnë se autoritetet e Prishtinës e kanë filluar para shumë kohësh lobimin për t’iu afruar Këshillit të Evropës, por që deri më tani nuk kanë treguar sukses. Kjo organizatë përveç 47 anëtarëve, ka gjashtë vëzhgues.
“Kosova deri më tani nuk ka kërkuar për t’u pranuar në Këshillin e Evropës”, ka konfirmuar zëdhënësja e Sekretarit të Përgjithshëm të këtij këshilli, Torbjerna Jaglada, përcjellë Novosti.
Presidentja në largim e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Anne Brasseur, ka deklaruar se situata në Kosovë është e veçantë, meqë nuk është anëtare e Bashkimit Evropian dhe ende nuk është njohur nga të gjitha shtetet anëtare. Por mirë është të diskutohet për këtë çështje, meqë Kosova i përket Evropës, transmeton Klan Kosova.