Lajmet e fundit

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur edhe një aktakuzë për krime lufte kundër deputetit të Kosovës nga NISMA, Fatmir Limajt.
Në njoftimin e prokurorisë, thuhet se ai akuzohet për veprën penale, “Krim i Luftës kundër popullatës civile”, dhe rasti gjegjësisht ka të bëjë me vrasjen e dy civilëve: Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës.
Në aktakuzë thuhet se me datë 2 tetor të vitit 1998, në në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë Hoxha dhe Binishi janë marrë dhe më pas janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari.
“Aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj se, si pjesëtar i UÇK-ës dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarr masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Sipas Aktakuzës, i pandehuri Fatmir Limaj , i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka ndërmarrë masa drejt zbulimit të kryesve të këtij krimi dhe rastin asnjëherë nuk e ka paraqitur te organet kompetente për hetim dhe ndjekje.