Lajmet e fundit

Dita e premte nisi me një problem të madh anë e kënd botës.
Bankat e mëdha, mediat dhe linjat ajrore u ankuan për ndërprerje të IT-së.
Fluturimet janë ndalur në aeroportin e Sidneit, United Airlines ka ndaluar fluturimet dhe platforma e grupit të Bursës së Londrës pësuan ndërprerje të mëdha, shkruan Klankosova.tv.
Edhe linjat ajrore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës patën këtë problem, dhe jo vetëm.
Kësi lloj ndodhi edhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.
Shumë aeroporte në Mbretërinë e Bashkuar dhe në mbarë botën raportuan vonesa, me disa fluturime të pezulluara.
Edhe transmetuesi Sky News ishte jashtë funksionit për një kohë, si pasojë e këtij problemi.
Nuk u lanë pa u prekur edhe stacionet hekurudhore anë e mbanë globit.
Po ashtu, komiteti organizativ për Olimpiadën e Parisit u ndikua nga ndërprerja e IT-së.
Microsoft është shprehur se po ndërmerr “veprime zbutëse” pas problemeve të shërbimit, dhe tha se ndërprerja e tij filloi rreth orës 18:00 të enjten.
Kjo ndërprerje kibernetike u ndërlidh me një problem në firmën globale të sigurisë kibernetike Crowdstrike.
Crowdstrike lëshoi një mesazh telefonik të regjistruar të premten kur Reuters kontaktoi mbështetjen e saj teknike duke thënë se ishte në dijeni të raporteve të përplasjeve në sistemin operativ Windows të Microsoft në lidhje me sensorin e tij Falcon.
Nuk kishte asnjë informacion që të sugjeronte se ndërprerja ishte një incident i sigurisë kibernetike.
Ky kolaps kibernetik ka afektuar edhe Kosovën, më saktësisht kompaninë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO).
"Në atë rast, edhe këto shërbime po rikthehen gradualisht nga banka, pa asnjë pasojë", u tha nga BQK-ja.
BQK-ja tha se nuk ka pasur sulme kibernetike në sistemin bankar dhe se nuk ka pasur asnjë rrezik për të dhënat apo sistemet.
Njësia Nacionale KOS-CERT, që ka rolin kyç në ruajtjen e sigurisë se rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike në Republikën e Kosovës, ka thënë se është në dijeni për një incident masiv që afekton sistemet e Microsoft Windows që kanë të instaluar mjetin e sigurisë Crowdstrike Falcon EDR.
Sipas tyre, ky incident duket se shkakton Blue Screen of Death (BSOD) gjatë ristartimit të sistemit operativ Microsoft Windows, transmeton Klankosova.tv.
“Në rast të këtij problemi, sipas udhëzimeve teknike të proklamuara deri më tani, është e nevojshme që të fshihen fajllat C-00000291*.sys nga direktoriumi C\Windows\System32\drivers\CrowdStrike në Safe Mode”, thuhet në njoftimin e tyre, se si të veproni nëse hasni në këtë problem.