Lajmet e fundit

Zyrtarët e Bashkimit Europian e kanë shprehur qëndrimin e tyre mospajtues për mundësinë e ndërtimit të një rrethoje në kufirin midis Maqedonisë dhe Greqisë, për parandalimin e kalimit të refugjatëve përmes këtij kufiri.
Margaritis Schinas, zëdhënës i shefit të Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, ka deklaruar se ndërtimi i gardhit nuk është zgjidhja më e mirë për të ndalur fluksin e refugjatëve nga Lindja që po i vërshojnë vendet evropiane.
“Përballimi i obligimeve që shkaktojnë refugjatët është shumë i vështirë për autoritetet maqedonase, megjithatë ne mendojmë se vendosja e një rrethojë nuk është zgjidhja ideale”, ka vlerësuar Schinas.
Më herët gjatë një interviste për një revistë hungareze, kryediplomati maqedonas Nikolla Poposki kishte kërkuar më shumë ndihmë nga strukturat europiane, ndërsa kishte paralajmëruar se edhe ndërtimi i një gardhi ndarës do të ishte një mundësi për të ndalur fluksin e madh të refugjatëve, shkruan Albeu, transmeton Klan Kosova.