Lajmet e fundit

Sipas Ligjit për mallrat e liruara nga tatimi doganor dhe mallrat me tarifë zero të tatimit doganor, nga pagesa e doganës janë liruar të gjitha barnat e shtojcës D e që janë citostatikët, antidiabetikët, produktet e hemodializës dhe dializës peritoneale si dhe infuzionet
Kështu u tha në takimin i cili u mbajt në Ministrinë e Shëndetësisë nën kryesimin e zëvendësministrit, Izet Sadiku.
Pjesëmarrës të takimit ishin përfaqësues të Administratës Tatimore, Agjensionit Kosovar për Produkte dhe Pajisje Mjekësore, të Shoqatës së Distributorëve të Kosovës dhe të Odës së Farmacistëve të Kosovës të cilët folën rreth ndikimit të pakos së re fiskale në sektorin shëndetësor, në mënyrë specifike në sektorin farmaceutik.
Me këtë rast zyrtarët e ATK-së kanë dhënë shpjegime në çështjet e ngritura nga zyrtarë e MSH-së dhe të sektorit farmaceutik, pas aplikimit të TVSH-së për 8 për qind në disa produkte farmaceutike, që ka ngritur shqetësimet rreth ndikimit të kësaj vlere te barnat që blihen nga pacientët në Kosovë.
Pas diskutimeve dhe shpjegimeve të shumë-anshme, në takim u vlerësuar se pakoja e re fiskale do të ketë efekte pozitive në tregun farmaceutik në Kosovë, sepse do të ndihmojë unifikimin e tregut të barnave sa u përket taksave, transmeton Klan Kosova.