Një rast i burgosjes së një nëne shqiptare, e cila po vuan dënimin brenda qelisë bashkë me fëmijën e saj 1-vjeçar ka nxitur reagime dhe debat.
Avokati Kujtim Cakrrani tha se 34-vjeçarja, e cila i përket komunitetit rom, ishte dënuar me dy muaj burg për një rast që lidhej me ushtrimin e dhunës ndaj vjehrrit të saj. Sipas tij, e dënuara nuk kishte dijeni për procedimin penal dhe as për vendimin e gjykatës, pasi e gjithë procedura ishte zhvilluar në mungesë të saj.
“Është një zonjë që vjen nga komuniteti rom, dhe ajo akuzohej sepse kishte përdorur dhunë ndaj vjehrrit të saj. Ajo ishte e dënuar me 2 muaj burg. Në kushtet kur zonja nuk ka pasur dijeni për procedimin penal dhe as për vendimin e gjykatës, pa dyshim që ngritur shumë pikëpyetje sepse ajo është kthyer nga Gjermania pa e ditur qe ka një vendim penal ndaj saj, dhe kur është paraqitur përpara policisë kufitare, është ndaluar sepse kishte urdhër. Gjithë procedura ishte bërë në mungesë të zonjës. Padyshim janë shkelur dispozitat e këtij kodi dhe të kushtetutës. Para kësaj situate duke qenë në kushtet që policia duhej të ekzekutonte një vendim të tillë, ajo e ka akomoduar në burgun e Pojskës në Pogradec. Ajo ka tre fëmijë, i vogli 1 vjeç, 2 dhe 4 vjeç dhe në këto kushte nuk kanë ndodhur deri më sot,që të jetë dënuar një zonjë me burg duke pasur parasysh faktin që ka fëmijë të vogël”.
Në emisionin "Kosova today" në Klan Kosova, Cakrrani e cilësoi rastin si shkelje të të drejtave të saj, duke kritikuar sistemin e drejtësisë në Shqipëri për ekzekutimin e dënimit në këto rrethana.
Kjo ka ndodhur vetëm në kohën e Enver Hoxhës, kjo tregon turpin e drejtësisë shqiptare. Nuk ndodh në asnjë vend të botës që të dënohet një nënë me tre fëmijë të mitur dhe të shkojë në burg, veç në Shqipëri ndodh kjo”.
Ndërkohë, neuropsikiatri Sami Rexhepi u ndal te ndikimi që situata të tilla mund të kenë te fëmijët e vegjël. Ai tha se përvojat traumatike në fëmijërinë e hershme mund të lënë pasoja afatgjata në zhvillimin psikologjik.
Kemi raste konkrete edhe në Kosovë. Nëse i intervistojmë ata fëmijë që kanë qenë si refugjatë apo të ikur nëpër malet e Kosovës, ata fëmijë të cilët kanë kaluar më tepër se tre muaj në kampe, çfarë ndikimi ka pasur. Është e pakuptueshme që një fëmijë të vuajë bashkë me nënën”.
Rexhepi theksoi se autoritetet duhet të sigurojnë zgjidhje për kujdesin ndaj fëmijëve kur një prind përballet me dënim me burg dhe vlerësoi se ekspozimi i fëmijëve ndaj një ambienti të tillë është i papërshtatshëm.
“Së pari duhet të rregullohet kjo çështje të caktohet një përgjegjës për atë fëmijë kush duhet ta marrë në përkujdese, me e marr fëmijën dhe me e fut në burg, ne mendojmë se fëmijët nuk dinë, por fëmijët i përjetojnë ato, por nuk dinë t’u japin kuptim. Është absurde dhe e pakuptimtë”.
https://klankosova.tv/ne-burg-bashke-me-femijen-1-vjec-gjykata-e-tiranes-urdheron-lirimin-e-34-vjecares/