Lajmet e fundit
Janë mbyllur tashmë numërimet për 11 Bashki, të cilat do drejtohen nga e majta.

Bie në sy se e majta ka arritur fitore edhe në disa zona në Veri, ku pritej një fitore e së djathtës.
Në 4 vitet e ardhshme bashkia e Konispolit, Hasit, Skraparit, Pustecit, Delvinës, Kolonjës, Libohovës, Peqinit, Mirditës, Fushë Arrëzit dhe Pukës do të drejtohen nga kryetarë të koalicionit të majtë.
Rreth orës 06:00 të mëngjesit të sotëm u mbyll procesi i votimit në Bashkinë e Hasit, ku Adem Lala i koalicionit të majtë arriti të fitojë me 4884 vota ose 52.98%, ndërsa kandidati i APPD, Elez Maçi arriti të merrte 4245 vota ose 46.05%. Në garë për këtë bashki ishte edhe kandidati i PSD, Gëzim Ukperaj, i cili mori vetëm 0.97% të votave.
Procesi i numërimi është mbyllur edhe në Skrapar, ku fitues ka rezultuar Nesim Spahiu, i cili mori 84.43%, ndërsa rivali i tij Hajredin Bakjasi 15.57% të votave.
Po ashtu edhe bashkia e Fushë Arrzit dhe e Pukës është fituar nga kandidatët e ASHE, por me një diferencë të vogël. Në Pukë Gjon Gjonaj arriti të fitonte me një diferencë vetëm me 97 vota, ndërsa në Fushë Arrëz diferenca ishte vetëm me 66.
Rreth orës 10:20 përfundoi edhe numërimi në Mirditë, kur Ndrec Dedaj i mazhorancës fitoi me 55.37 përqind të votave, kurse Gjergj Prenda i APPD mori 44.63 përqind të votave, transmeton Mapo.
E majta merr edhe bashkinë e Konispolit. Kandidati i ASHE, Shuaip Beqiri ka fituar me 650 vota më shumë se kandidati i djathtë, Ismail Murtaj.