Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, në vizitën e tij në Kosovë do të takohet me liderët e shtetit, por atë do ta bëjë vetëm në aeroportin “Adem Jashari”, në Prishtinë.
Siç mëson Klan Kosova nga burime zyrtare brenda Qeverisë së Kosovës, Kerry nuk do të vije fare në kryeqytet dhe vizita e tij nuk do të zgjas as dy orë të plota, për shkak të angazhimeve të shumta.
Kerry në aeroport takohet me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, dhe dy zëvendësit e tij, Hashim Thaçi e Branimir Stojanoviq. Por, ai nuk do ta shohë Presidenten Jahjaga, e cila ditë më parë u takua me zëvendëspresidentin amerikan Joe Biden.
Politikani amerikan do të ketë takim edhe me disa studentë shqiptarë që kanë studiuar në Shtetet e Bashkuar të Amerikës.
Pas takimeve Kerry do të prononcohet për media, por në adresimin e tij nuk do të lejohen pyetjet.
Sekretari amerikan, që në Kosovë do të vijë me përfaqësuesit më të lartët të departamentit të shtetit, në fjalën drejtuar kosovarëve do të tregohet përkrahës për dialogun me Serbinë në Bruksel, dhe do të flas për mbështetjen që SHBA-të i japin Kosovës në luftën e saj kundër terrorizimit.
Po ashtu, Kerry pritet ta dënojë dhunën në Kuvendin e Kosovës.
Menjëherë pas vizitës së shkurtër në Prishtinë, ai udhëton për në Beograd, për të qëndruar pak më gjatë atje.
klankosova.tv