Lajmet e fundit

Dy persona janë gjobitur me 500 euro pasi u kapën duke djegur hamulloret në dy raste të ndara në komunën e Klinës, ka njoftuar Policia e Kosovës. Sipas policisë, rasti i parë është raportuar më 30 korrik rreth orës 11:00 në fshatin Caravik.
Njësitet policore dhe zjarrfikësit kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku zjarri ishte vënë nën kontroll. Pronari i tokës ka pranuar se kishte djegur hamulloret pas korrjes së grurit.
"Njësitet relevante menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku prezent ishte edhe njësia e zjarrfikëseve – Klinë, të cilët kishin intervenuar në rast. Kundërvajtësi (njëkohësisht pronari i tokës), ka pranuar se i kishte djegur hamulloret, pas korrjes së grurit. Lidhur me këtë rast është njoftuar prokurori i Shtetit dhe me udhëzim të prokurorit shkresat e lëndës të evidentohen me shënim zyrtar, kurse ndaj kundërvajtësit është shpiptuar fletgjoba prej: 500 euro, sipas ligjit në fuqi."
Ndërkaq, rreth orës 15:25, policia është njoftuar për një tjetër zjarr në tokat bujqësore në fshatin Dollc.
Në vendngjarje është konstatuar se po digjeshin hamullore në një sipërfaqe prej rreth 2 deri në 3 hektarësh, ndërsa janë hasur edhe tre traktorë duke punuar në arë.
Zjarri është lokalizuar dhe fikur, ndërsa pronari i tokës ka pranuar se i kishte vënë flakën hamulloreve për të pastruar pronën e tij.
"Me datën 30.07.2026, rreth orës 15:25, Stacioni Policor në Klinë ka pranuar informatë lidhur me një zjarr në tokat bujqësore në fshatin Dollc-Klinë. Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku ka vërejtur se ishin duke u djegur hamulloret në një sipërfaqe prej rreth 2-3 hektarësh. Në atë pjesë të tokës janë hasur edhe 3 (tre) traktorë duke bërë lavër. Zjarri kishte përfshirë një pjesë të arës, sipërfaqe e cila paraprakisht ishte lëvruar. Zjarri është lokalizuar dhe fikur në tërësi."
Në vendin e ngjarjes një qytetar nga fshati Gllarevë Klinë, i cili ka pranuar se është pronar i tokës dhe se ai ia ka vënë zjarrin hamulloreve me qëllim të pastrimit të pronës së tij.
Lidhur me këto që u thanë më lart është njoftuar prokurorja kujdestare e Shtetit dhe me udhëzim të prokurorit shkresat e lëndës do të evidentohen me shënim zyrtar, kurse ndaj kundërvajtësit është shpiptuar fletgjoba prej: 500 euro, sipas ligjit në fuqi.
Për të dy rastet është njoftuar Prokuroria e Shtetit, e cila ka udhëzuar që lëndët të evidentohen me shënim zyrtar, ndërsa ndaj secilit kundërvajtës është shqiptuar gjobë prej 500 eurosh, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të ndërmarrë masa ligjore ndaj të gjithë personave që, me dashje ose nga pakujdesia, rrezikojnë jetën dhe pronën e qytetarëve duke shkaktuar zjarre.
Njëkohësisht, policia ka apeluar te qytetarët e rajonit të Pejës që të tregojnë kujdes maksimal gjatë çdo aktiviteti që mund të shkaktojë zjarr, si përdorimi i shkrepëseve, cigareve, grilave apo ndezja e zjarreve në natyrë.