Palestra "13 Qershori" në Suharekë është sonte nikoqire e ndeshjës së parë çerekfinale, ndërmjet dy ish-kampionëve të Kosovës.
Golden Eagle Ylli e pret Pejën, në një ballafaqim të zjarrtë ku të dyja skuadrat me ngulm do ta kërkojnë fitoren, njofton Klankosova.tv.
Kjo super përballje transmetohet direkt në kanalin Sport 3 të platformës kryesore shqiptare, ArtMotion, me fillim në orën 19:00.
Para se Trepça ta fitonte titullin në sezonin e kaluar, ishte Peja ajo që u shpall kampione në edicionin 2022/23, kurse paraprakisht dy herë radhazi triumfoi Ylli.
Kur "Xhebrailat" u shpallën kampionë në vitin 2021, në finale e mposhtën pikërisht kundërshtarin me të cilin ndeshën sonte, ndërkaq kur pejanët festuan trofeun e Superligës, eliminuan suharekasit në gjysmëfinale, para se të festonin në "Minatori" ndaj Trepçës, raporton Klankosova.tv.
Në edicionin e rregullt të garave aktuale, Ylli i ka fituar të katër përballjet kampionale kundër Pejës, por të gjitha do të zhvleftësoheshin, nëse humbin në Playoff.
Peja është skuadra e dytë me tituj kampioni në Kosovë, me shtatë sosh të fituara, pas Prishtinës e cila ka dyfishin, 14.
Ylli ndërkaq me dy herë triumf në kampionatin elitar të basketbollit, qëndron i katërti në renditje, pas Trepçës që është shpallur katër herë kampione.
●●●
KRSHKRIMI NGA
kushtrim reshitaj
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.