Lajmet e fundit

Kriza financiare prek Durrës Film Festival, i cili do të rikthehet në 2016 me objektiva ambiciozË. Qytetit bregdetar të Durrësit, banorëve dhe turistëve të tij do t’u mungojë këtë vit magjia e artit të shtatë, sharmi dhe tapeti i kuq i edicionit të tetë të Festivalit të Filmit Ndërkombëtar Veror. Drejtorja artistike e këtij festivali, Anila Varfi, thotë për “Shqip” se këtë vit kjo ngjarje në jetën kinematografike të vendit nuk do të zhvillohet për pamundësi financiare “pasi objektivat e këtij edicioni janë shumë ambicioze dhe rrjedhimisht, mbështetja financiare është në një stad tjetër kërkesash”. Pavarësisht kësaj, stafi i Festivalit po punon për ta sjellë edicionin e munguar në 2016 me surpriza dhe një program të pasur e mbresëlënës. “Edicioni i 2016-s do të vijë me surpriza të mëdha madje dhe me strukturë të shtuar programore që do të aplikohen për herë të parë. Për sa i përket qëllimit, ai mbetet i njëjti. Festivali Ndërkombëtar Veror i Filmit synon të pasurojë kulturën e të gjithë territorit shqiptar, si dhe të zbukurojë imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”, – thotë Varfi, pa akuzuar institucione lokale a qendrore për mungesën e festivalit këtë sezon. Mbështetësit kryesorë të Festivalit kanë qenë Bashkia e Durrësit, Ministria e Kulturës, përfaqësitë e ndryshme diplomatike në vendin tonë etj.
“Për të tejkaluar kuriozitetin e kësaj mungese dua të theksoj se janë pretendimet dhe objektivat e diktuara nga statura e festivalit që na detyrojnë që këtë vit ai t’i mungojë panoramës artistike të vendit. Të gjithë ne e dimë se asgjë nuk është e lehtë, po duke u kthyer tek Durrës IFS duhet të theksoj se janë politikat ambicioze të cilat nuk mundësojnë zhvillimin e tij këtë vit.”- sqaron Varfi.
Nuk është hera e parë që organizatorët e këtij aktiviteti të përmasave ndërkombëtare kanë hasur në vështirësi financiare. Ndër vite është punuar fort për të sjellë në Durrës emra të mëdhenj të kinemasë botërore, europiane e ballkanike ku Varfi risjell në vëmendje regjisorin e madh, fituesin e Oskar, Francis Ford Coppola, Claudia Cardinale, Milos Forman, fituesen e Berlinale-s, Fanny Ardant, Marco Belloçhio, Jiri Menzel, një tjetër fitues i çmimit ‘Oscar’, Rade Serbedzija, Miki Manojlovic, Jan Harlan, producent i kolosit Stanley Kubrick; Henning Lohner, Nik Powell, Lech Majewski, Krzystof Zanussi, Anna Geislerová, Leo Vitali, aktorja turke Turkan Soray (“Shamikuqja”), si dhe Tom Van Avermaet, regjisori belg i nominuar për Oskar. Ndërkaq janë nderuar me çmime karriere kolosë të kinemasë shqiptare, si Sandër Prosi, Dhimitër Anagnosti, Dhimitër Xhuvani, Agim Qirjaqi, Vangjush Furrxhi, Bekim Fehmiu, Xhanfise Keko, Nikolin Xhoja, Tinka Kurti, Drita Pelingu, Piro Milkani dhe Lutfi Hoxha.
Durrësi, qyteti me kinema
Më në fund, Durrësi ka kinemanë e vet që së shpejti pret të vihet në funksionim. E duke iu kthyer fillimeve të Festivalit, organizatorja e tij, Anila Varfi, kujton se Durrës Film Festival lindi si një gjallesë artistike që do të vihej në funksion të burimeve të qytetit, në një kohë kur kjo hapësirë ishte djerrë. Një projekt e organizim i përmasave të mëdha në qytetin nr.2 të vendit, ku mungonte dhe kinemaja. “Për këtë fakt, Festivali dhe është kritikuar. Pse duhej një festival në një qytet pa kinema?! Sot pas 7 vitesh histori suksesi kritikët e kanë marrë një përgjigje. Falë jehonës së këtij festivali dhe cilësive të tij artistike, qyteti i Durrësit është pasuruar me një kinema nën varësinë e Bashkisë së Durrësit. “Kinemaja që sapo është montuar është dhuratë e Ministrisë turke të Kulturës dhe Institutit të Kulturës Turke ‘Yunus Emre'”./ Gazeta-shqip.com