Lajmet e fundit
“Pas shumë vitesh punë dhe mund, sot të dy kemi përfitime nga muzika”.

“Nuk e shoh të tillë, sepse ai edhe e ka nisur muzikën i pari marr parasysh moshën e tij - është më i vjetër se unë. Ai këtë zhanër e zgjodhi nga fillimi dhe e kam dëgjuar shpesh edhe unë, por unë zgjodha hip-hopin, pasi që kjo muzikë më ka pëlqyer më tepër”, thotë 2Ton për KlanKosova.tv.
Njëjtë pohon edhe Xhaviti, i cili tregon se me qejf dëgjon stile të tjera të muzikës, edhe hip-hop po ashtu.
“Stilin e muzikës që unë e bëj e kam dashur gjithmonë, por asnjëherë nuk them se nuk dëgjoj dhe stile të tjera, madje vazhdoj të dëgjoj”.
E marrë parasysh faktin se edhe muzika hip-hop edhe ajo popullore pëlqehet shumë nga publiku, mbrëmjet e koncertet e shumta janë çdo ditë e më tepër prezentë në jetën e tyre.
Nisur nga ky fakt, vëllezërit Avdyli thonë se përfitojnë mirë nga arti i tyre.
“Lirisht mund të them se pas shumë vitesh punë dhe mund, sot të dy kemi përfitime nga muzika”, ka thënë Xhaviti për KlanKosova.tv.
Me vëllain pajtohet edhe 2Ton.
“Xhaviti ka dasma të shumta, unë kam mbrëmje të ndryshme e koncerte po ashtu, përfitimi nuk mungon as tek unë as tek ai”.
Dy vëllezërit e famshëm të estradës shqiptare, megjithatë një herë kishin vendosur t’i bashkojnë forcat edhe në muzikë.
Një bashkëpunim mes repit të butë të 2Ton-it dhe pop-folkut të ëmbël të Xhavitit rezultojë me projektin e quajtur “Loqka Jem”, kënga hit e verës së 2014-ës.
Projekti muzikor kapi milionat qysh në ditët e para. Dhe tani numëron afër shtatë milionë klikime vetëm në kanalin Youtube.
“Loqka” e Artonit dhe Xhavitit kishte zënë edhe pozitat e para në top-listat shqiptare.
E kësi lloj bashkëpunimesh, Xhaviti dhe Artoni nuk e kanë problem të realizojnë.
“Nuk është aspak e vështirë të punosh me dikë që këndon popullore sidomos me vëllain tim. Në duetin 'Loqka Jem' unë iu kam përshtatur stilit të tij dhe për këtë arsye ajo këngë ka dalë shumë e mirë”, ka thënë 2Ton.
Madje Xhaviti tha se mirëkuptimi në mes tyre asnjëherë nuk ka munguar.
“Të bashkëpunoj më vëllain tim nuk është një punë e vështirë, ne mirëkuptohemi dhe ka një kohë të gjatë që punojmë me njëri tjetrin, ai më shkruan edhe tekste”.
Edhe pse të dy këngëtarët jetojnë ende në të njëjtën shtëpi, dy llojet e muzikës dëgjohen brenda saj.
“Varet çka festojmë në familje por ndodh që të dy stilet të lëshohen gjatë asaj nate që festojmë”, shton, duke qeshur, Xhaviti.
Kurse 2Ton respekton moshën e vëllait.
“Pasi që Xhaviti është më i vjetër në moshë, duhet të dëgjohet muzika e llojit të tij”.
Derisa arti i tyre ka gjetur pëlqim tek shqiptarët gjithandej, dy muzikantët e ndryshëm që jetojnë në shtëpinë e njëjtë, thonë se nuk e kanë ndërmend të ndalen duke bërë muzikë – muzikë që i dallon nga zhanri, por i bashkon për nga pasioni.