Lajmet e fundit

Driton Lajçi, këshilltar i kryeparlamentarit Kadri Veselit, ka vlerësuar se presidenti i vendit Hashim Thaçi është figura e duhur për udhëheqjen e bisedimeve për dialogun me Serbinë.
“Hashim Thaçi deri më tani ka arritur që të ketë mbështetjen institucionale dhe popullore. Me marrëveshjet e arritura deri më tani është realizuar maksimumi i mundshëm. Dialogu ka kuptim vetëm me marrëveshje, e marrëveshjet bëhen vetëm me kompromise, ndërsa marrëveshjet e deritanishme kanë qenë produkt i asaj që quhet “fitues-fitues”. Thaçi është marrë me këtë çështje disa vjet me radhë, kjo është më shumë një përgjegjësi se sa privilegj”.
Lajci gjatë intervistës në Info Magazine të Klan Kosovës gjithashtu ka thënë se Serbia nuk e preferon një figurë si Thaçi për udhëheqjen e dialogut.
“Unë jam i bindur se as Serbia nuk është e lumtur që e sheh Thaçin duke e udhëheqë dialogun me Serbinë. Vuçiqi ka një lloj intolerance ndaj tij, e kemi parë edhe në Sofje, dhe kjo tregon se Thaçi është figura e duhur”.
Driton Lajçi ka folur edhe për tryezën e thirrur nga PDK-ja, përderisa deklaroi se platforma e paraqitur nga kjo parti tregon qartë për finalen e dialogut me Serbinë.
“Qëllimi i tryezës së thirrur për konsensus, ka për synim që subjektet politike në vend të kenë konsensus për pikat që janë publikuar, ndër to edhe për dialogun.
“Ka vend për shqetësime për pyetje, kjo ka qenë edhe qëllimi i tryezës që të kemi dakordim për pika të ndryshme. Përfundimi i dialogut nuk duhet të shihet si diçka partiake”.