Lajmet e fundit

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë nga kjo e mërkurë ka drejtor të ri.
Në këtë post është emëruar Driton Gashi që deri më tani mbante pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Në biografinë e tij thuhet se Gashi, që nga viti 2004 ka përvojë në sektorin e sigurisë. Ai ka qenë këshilltar për siguri në zyrën e kryeministrit nga viti 2005 deri më 2008. Pos kësaj drejtori i ri i AKI-së, si këshilltar në këtë fushë ka punuar edhe në UNDP, ndërsa ka mbajtur edhe pozitën e drejtorit të sigurisë publike në MPB.
Por në vitet 2004-2005 ishte zëvendësdrejtor për hulumtime kualitative të opinionit publik në Qendrën për Studime Politik, e cila vepronte në kuadër të Partisë Demokratike të Kosovës, njofton Klan Kosova.
Tani në pozitën e drejtorit të inteligjencës, Gashin e ka emëruar ish-lideri i PDK-së, aktualisht president i vendit, Hashim Thaçi, në bashkëpunim me kryeministrin, Isa Mustafa.
Kronikë nga Dibran Istrefi.