Lajmet e fundit

Mysafir në “Zonën B” sonte ishte nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi.
Me Çaushin është folur për protestën e fundit të organizuar nga opozita si dhe për deklarimet e zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi se ai do të zgjidhet president në mars të këtij viti.
Çaushi ka thënë se Qeveria nuk ka legjitimitet për të bërë një hap të tillë.
“Unë mendoj se kjo qeveri nuk ka legjitimitet të bëjë asnjë veprim tjetër, e aq më pak për zgjedhjen e presidentit”.
“Kjo qeveri nuk besoj që ka legjitimitet për zgjedhjen e Presidentit, e aq më pak kandidatura e Thaçit për këtë post”.
Ai ka thënë se opozita ka kërkuar që prej shtatorit që të tërhiqen nënshkrimet nga marrëveshjet e 25 gushtit, dhe tashmë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Qeveria më nuk është funksionale.
“Normalisht që ne kemi qëndruar pas një kërkese për katër muaj për të tërhequr këto dy marrëveshje, e nuk ka ndodhur një gjë e tillë, e tani ne besojmë që Qeveria tash e tutje nuk ka legjitimitet”.
“Besojmë që nuk mund të ketë legjitimitet dukë përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit”.
Çaushi është i sigurt që momenti për zgjedhjen e presidentit as nuk do të vjen.
“Ne do të pengojmë zgjedhjen e presidentit, e ne madje nuk besojmë që fare do të vijë ai moment”.
“Ne besojmë që brenda muajit do të bie kjo qeveri”.
Por ai ka thënë se nëse do të vjen momenti dhe Thaçi të zgjedhet president, atëherë kjo gjë do të ishte gjëja më e keqe që i ka ndodhur Kosovës.
“Është bindje e jona e thellë që nuk do të vie fare ai moment, e nëse vjen është dëmi më i madh që mund t’i ndodh Kosovës, sepse nuk ka figurë më të dëmshme që pas luftës se Hashim Thaçi”.
“Ai është kyqi i kriminalitetit në Kosovë, e mendoj që do të ishte fati më i keq që do të mund ti ndodh Kosovës në këtë moment”.
Kurse për datën e ardhshme të protestave ai ka bërë të ditur se do të jetë në ditët e ardhshme.
“Nuk e kemi caktuar datën por do të jetë në ditët e ardhshme”.