Lajmet e fundit

Gani Dreshaj, kandidati i AAK-së për kryetar të Istogut, në Info Lokale të Klan Kosovës ka shpalosur programin e tij për bujqësinë.
“Istogu është i vetmi vend që ka ujë të mjaftueshëm në Kosovë, por s’ka për ta ujitur tokën”.
“Me kryetarin Haki Rugova janë bërë dy prodhues të peshqve. Ato dy familje mund të jetojnë mirë, por si pasojë e tyre janë me dhjetëra hektarë që kanë mbetur pa ujitje”.
Dreshaj ka treguar si e sheh ai zgjidhjen.
“Në bujqësi njerëzit kanë nevojë që t’ua japim naftën pa akcizë, ta kthejmë ujin e peshqve për ujitjen e tokës”.
“E kemi tokën e mirë, por njerëzit e kanë humbur shpresën”.
“Duhet të bëjmë një zgjidhje që mos të humb uji për ujitje, lumenjtë e Istogut janë aq të ndotur sa veç nuk ka kufoma, janë të papastruar, nuk ka impiante”.
Kandidati i AAK-së për Istogun ka thënë se në këtë komunë duhet të punohet shumë.
“Istogu ka nevojë që t’i përvjelë bërrylat dhe të punojë, njerëzit kanë rënë në depresion prej komunës tonë se nuk ka zgjidhje”.
Ai ka folur edhe për kundërkandidatët e tij, duke përmendur edhe një mundësi bashkëpunimi në rast të balotazhit në këtë komunë.
“Janë edhe tre kandidatë, janë njerëz të mirë derisa ne jemi në biseda e sipër”.
“Kam synim të fitoj pa balotazh, kam edhe bindjen se do të fitoj, por nëse shkojmë në balotazh do të punojmë të gjithë së bashku”.
Dreshaj ka folur për mënyrën në të cilën do të zgjidhen drejtorët nëse ai do të jetë në krye të komunës së Istogut:
“Zgjedhja e tyre nuk do të varet nga përkatësia ndaj subjekteve politike”.