Lajmet e fundit
Historia e tmerrshme e djegies së 1600 hebrenjve në vitin 1941 në Poloninë Lindore, e kthyer në një prej dramave më të debatuara izraelite, e frikësuar ndaj sulmeve të ISIS, e nis turin në teatrot ballkanike nga kryeqyteti shqiptar. “Klasa jonë” është shfaqja mes teatrit “Çamëria” dhe atij “Habima”, që vjen premierë për publikun shqiptar sonte në mbrëmje në Teatrin Kombëtar

Një grup shokësh klase, hebrenj e polakë, prej vitit 1925 e deri në kohët e sotme. Me rritjen merr fund edhe argëtimi i moshës. Lufta nis, vijnë forcat pushtuese, fillimisht sovjetët e më pas nazistët mësyjnë qytetin. Antisemitizmi shpërthen në një seri përdhunimesh, vrasjesh, torturash, duke e arritur kulmin në një masakër masive. Thuajse të gjithë hebrenjtë vendas u vranë, të djegur në një plevicë apo u ekzekutuan në sheshin e qytetit. Pak ia dolën të mbijetonin. Dhuna nuk mbaron me fundin e luftës.
Nis pajtimi me të shkuarën, por kjo është një detyrë e pamundur.
“Klasa jonë” është një rrëfim tronditës rreth marrëdhënieve të vështira polake- hebreje në shekullin e XX, faji kolektiv, e vërteta që duket se nuk i nevojitet askujt dhe historia e cila nuk mund të gjykohet, të ripërshkohet apo të shpjegohet…
Është kjo pamja që vjen sonte në mbrëmje për publikun kryeqytetas në Teatrin Kombëtar .
“Klasa Jonë”, një vepër nga Tadeusz Slobodjanek, vjen si një bashkëpunim midis dy teatrove kryesore në Izrael, Teatrit “Çamëri” të Tel Avivit dhe Teatrit Kombëtar Habima.
Me Tiranën kjo shfaqje nis turin teatror nëpër Ballkan për muajin korrik.
Drejtori i kompanisë teatrore “Çamëri”, Noam Samel, ndau për mediat ndërkombëtare shqetësimin publik ku kërkonte siguri për turin ballkanik. Semel i kërkoi qeverisë izraelite t’i siguronte informacione mbi gjendjen e sigurisë në vendet ku do të ndalonte ky teatër mes të cilave ishte dhe Shqipëria. Shqetësimi i Semel kishte të bënte me kërcënimet e ISIS për vendet ballkanike. Por duket se Semel ka marrë konfirmimin për siguri nga qeveria e tij, për ta ngjitur këtë vepër të rëndësishme për historinë izraelite në teatro të ndryshëm ballkanikë.
Në Shqipëri, shfaqja mbështetet nga Ministria e Kulturës, ajo e Punëve të Jashtme, ambasada së Izraelit, ambasada amerikane dhe hungareze.
E shkruar në vitin 2008 nga dramaturgu polak Tadeusz Slobodzianek, vepra bazohet në historinë e masakrës që u bë ndaj 1600 hebrenjve më 10 korrik 1941, kur fqinjët e tyre katolikë polakë hynë në shtëpitë e tyre në fshatin Jedëabne dhe i vunë flakën. Shumë historianë dhe gazetarë kanë shkuar pas kësaj tragjedie në fshat për të marrë versionin e tyre të historisë. Janë shkruar libra dhe shkrime të ndryshme, por dramatizimi që i bëri Tadeusz Slobodzianek historisë, do të ngrinte në art të vërtetën e kësaj ngjarjeje. Dhe pse brenda veprës ka shumë dhimbje, Tadeusz është përpjekur të japë detaje nga raportet njerëzore, mbi historinë të shkuarën dhe të ardhmen, përmes lidhjes së dhjetë nxënësve brenda hapësirës së një klase.
Gjithçka nis më 1930-ën. Marshall Pilsudski vdes, bashkëjetesa në dukje paqësore njolloset nga atmosfera e krijuar prej paragjykimit anti-semit. Pas nisjes së luftës sjellja e njerëzve ndryshon, polakët krijojnë një organizatë sekrete, por disa vendosim mbi bashkëpunimin me forcat pushtuese.
Pasi lufta mbaron disa nga të mbijetuarit i bashkohet policisë sekrete duke fituar mundësinë për hakmarrje ndaj ish torturuesve. Në fund shumë prej personazheve përpiqen të negociojnë një marrëveshje me realitetin ekzistues.
Titulli ironik i veprës i referohet një komuniteti, fillimisht i brishtë, por i vërtetë, i cili më pas shpërbëhet, duke u shndërruar në një komunitet me kujtesë të ligë. Nuk ka arratisje nga qerthulli i gabimeve dhe pendesës. Krimi nuk lë askënd të pafajshëm.
Vepra e Słobodzianek-ut nis me një listë personazhesh dramatikë, përfshirë rrëfimet e datave të lindjes dhe vdekjes. Nga fillimit personazhet janë shpirtra, fantazma, apo kufoma. Gjuha e tyre bisedore, naive dhe brutale vjen e ndërthurur me gjuhën e rimave të ninullave popullore dhe këngëve të fëmijëve, duke krijuar një efekt të çuditshëm tëhuajzimi. Duke përdorur arketipat e dramës romantike, duke evokuar në mënyrë polemike “Klasa e vdekur” e Tadeusz Kantor-it, vepra e Słobodzianek-ut flet rreth fantazmave që nuk mund të qetohen apo shuhen.
Kjo vepër ka fituar çmimin e teatrit të Izraelit për vitin 2014, një çmim i rëndësishëm që jepet nga Ministria e Kulturës së këtij vendi. Sipas regjisorit, vepra është njohje me historinë e Izraelit. Një vepër për t’u ndarë nga e keqja dhe për të mos u kthyer më në kufijtë e së shkuarës, do të shprehej vetë dramaturgu Slobodzianek. Vepra do të ngjitet në skenë dhe si nder ndaj familjes Panariti, e cila ka kontribuar në mbrojtjen e hebrenjve në vendin tonë.
Një ceremoni për të nderuar Familjen Panariti si “ Fisnik mes Kombeve” që shpëtuan Hebrenj gjatë Holokaustit do t’ paraprijë performancës artistike.
Pas Izraelit shfaqja është vënë në skenë në Poloni, Kanada, Amerike, Spanjë, Itali , Çeki, Japoni, Brazil, Danimarkë, Suedi dhe Hungari e tashmë në Shqipëri e më pas edhe në disa shtete të rajonit./Mapo.al