Lajmet e fundit

Ish-ministri i Energjisë, Dritan Prifti dhe deputeti Tom Doshi mohojnë akuzat e përmendura në letrën që Spartak Braho u ka dërguar institucioneve të shtetit ku i akuzon ata për destabilitet politik dhe kërcënim të familjes së Kastriot Ismailajt. I pyetur në lidhje me takimin me bashkëshorten e Kastriot Ismailajt, Doshi ka pohuar për “TCH” se: “Kam 15 vite që njihem me bashkëshorten e zotit Ismailaj. Unë jam deputet dhe mund të takohem me këdo. Po, jam takuar me kërkesë të saj.
Le të kontrollohen tabulatet e mia dhe të shikohet se kush e ka kërkuar takimin”. Doshi deklaroi gjithashtu se ai nuk ka asnjë dijeni për bizneset e mundshme që mund të ketë pasur Ilir Meta me Kastriot Ismailajn. Por ai the se ka dy pyetje për Ilir Metën nëse ai ka vizituar zyrat e Kastriot Imailajt tek ish Radio Tirana përpara zgjedhjeve lokale të 2011 dhe a ka shkuar në Çeki për të lobuar në marrjen e kontratës nga DIA?
Ndërsa Prifti shprehet se nuk ka njohje me bashkëshorten e Ismailajt dhe shton se e do këtë vend më shumë se Ilir Meta, dhe se nuk do të dëshironte asnjë lloj destabiliteti. Sipas Priftit, asnjë presion nuk do të bëjë që ai të tërhiqet nga e vërteta. Nëse do të hapet një hetim serioz për CEZin dhe DIA-n, Prifti deklaron se do të dëshmojë të vërtetën, sidomos kur, sipas tij po kërkohet t’i zhvaten vendit 130 milionë euro.
Bashkëshortja e Ismailajt: Doshin e kam takuar
Pas bërjes publike të lajmit për letrën e kreut të komisionit të sigurisë kombëtare, bashkëshortja e Kastriot Ismailajt, Vojsava Ismailaj ka kërkuar të reagojë duke deklaruar se e njeh Tom Doshin prej shumë vitesh. Ajo pranon se është takuar me deputetin Doshi javën e kaluar, por thotë se nuk ka folur për çështjen e burrit të saj dhe nuk është kërcënuar. “Unë nuk di të jem kërcënuar nga askush, as nga zoti Doshi, as nga zoti Prifti. Doshin e njoh që para 15 vitesh, e kam takuar, kam pirë kafe dhe asgjë më shumë”, - tha ajo për “TCH”.
E pyetur nëse ka diskutuar me deputetin Doshi për çështjen e bashkëshortit, zonja Ismailaj, ka pohuar se: “E kam takuar, jemi përshëndetur, por s’e mbaj mend me saktësi diskutimin. Ka qenë një moment që ai më pyeti çfarë bëhet me Kastriotin. I thashë se është në paraburgim dhe kaq, nuk vazhdoi më tej”. Bashkëshortja e Kastriot Ismailajt ka mohuar njohjen apo takimin me Dritan Priftin. E pyetur nëse është kërcënuar ndonjëherë gjatë këtyre muajve nga persona të tjerë ajo ka pohuar se: “Ka pasur indirekt dhe kërcënimet kanë qenë si shashka. Që do të thotë: Kastrioti të tërhiqet nga arbitrazhi që të lirohet.
Ky është kërcënimi që ka ardhur në mënyrë indirekte, nga persona të panjohur për mua. Anonimë”. Ismailaj e konsideron këtë si presion të shtetit. “Një presion nga shteti shqiptar. Një mesazh, një kërcënim nga shteti shqiptar që të heshtim. Të heshtë Kastrioti”, - deklaron ajo. E pyetur se për ç’arsye duhet të heshtin, sipas Ismailajt, arsyeja është gjyqi në Arbitrazh. “Për të vërtetën e kompanisë DIA, ose të vërtetën e Arbitrazhit për kompaninë DIA që i takon Kastriot Ismailajt”, - pohon bashkëshortja e Kastriot Ismailajt, të akuzuarit për çështjen e CEZ-it./Shekulli