Lajmet e fundit

Ndryshe nga shumica e shqiptarëve dhe komentuesve që kanë mallkuar dhe hedhur vrer mbi 20-vjeçarin që kreu vrasjen e dyfshishtë në Prekal të Shkodrës mendon Dom Gjergj Meta. Ai thotë se Sokol Mjasaj nuk duhet parë si një monstër, madje shprehet se një përkufizim i tiollë duhet refuazuar. “Ka krime monstruoze, por jo monstra! Refuzoj çdokend e çdo përkufizim që i thotë një njeriu te krijuar ne shembellimin e Zotit monstër! Zoti nuk krijon monstra!” – shkruan Meta në profilin e tij në Facebook.
“Sokol ti ke bërë një krim monstruoz, sikurse kanë bërë shumë në këto vite nga 91' e mbrapa në Shqipëri, dhe për këtë do të dënohesh! Por ti Sokol nuk je monstër! Ti nuk më lexon sigurisht, por unë po të them sot me plot bindjen se nëse ti do, ke akoma shansin të rigjesh brenda vetes gjurmët e pashlyera të miresisë e të njerëzisë që tani jane të heshtura e të përgjumura e ndoshta edhe të plagosura rëndë, por jo të vdekura! Ti Sokol nuk je monstër!” – shkruan Dom Gjergj Meta.
Në një tjetër postim ai e shpjeguar më tepër idenë e tij duke u shprehur se i qendron besnik ne gjykimet e tij nje parimi te krishtere që thotë se duhet ndarë personi nga aktet e tij.
"Personi duhet parë me dashuri ndërsa aktet kur janë të këqija dënohen. Ndërsa gjykatat merren me faktet, me veprimet dhe dënojnë në bazë të veprimeve të kryera, unë që nuk jam gjykatës veproj dhe punoj për personin njerëzor. Atëhere mund të kuptohet mjaft mirë se cfarë do të thotë diferenca substancore ndërmjet një krimi monstruoz dhe personit që e kryen atë krim... Atëhere një i krishterë e kupton fjalën e Krishtit që thotë, nese keni vizituar një të burgosur më keni vizituar mua ... E një i burgosur mund të ketë kryer edhe krime monstruoze, por nuk është monstër. Merrni një mjek i cili ka bërë betimin e Hipokratit, nëse një i burgosur, apo vetë Sokoli, do t'i shkojë për mjekim se ka nje atak në zemer psh, nuk mund ta quajë monster, por do ta kuroje ate...
Ka edhe një gjë në fakt se të gjithë ne që flasim, në pjesën më të madhe nuk jemi gjendur as nga ana e Sokolit apo familjarëve të tij e as nga ana e familjarëve të turistëve çekë, ndaj më shumë se ata duhet të dimë të arsyetojmë me gjakftohtësi për sa të jetë e mundur" – shprehet Dom Gjergj Meta./lapsi.al