Lajmet e fundit

Analisti Qashif Bakiu, në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se dhuna e së enjtes mbrëma në dhe përreth Kuvendit të Maqedonisë varrosi përfundimisht demokracinë, që sipas tij ka vdekur moti atje.
Ai ka deklaruar se ishte reagimi i liderëve të disa prej partive politike që e shpëtoi situatën nga eskalimi i krejtësishëm, rrjedhimisht nga dhuna ndër apo brenda-etnike, njofton Klan Kosova.
"Mbrëmë shteti nuk arriti ta menaxhojë situatën. Elitat politike reaguan me zgjuarsi, për të mos e lënë të ndodhte më e keqja. Disa nivele të komandimit të Ministrisë së Brendshme kanë sabotuar operacionin për sigurinë e deputetëve dhe kështu deputetët janë futur lehtë në kuvend, për të goditur deputetët".
"Ziadin Sela ka qenë cak i protestuesve të tij për shkak të deklaratave të tij, qëndrimit të tij, dhe asaj cka ka përfaqësuar vazhdimisht".
"Në Maqedoni dje u varros demokracia, që kishte vdekur qëmoti".
"Janë tri elemente të rëndësishme për shqiptarët: pafajësia e Haradinajt, bërja e Tuzit komunë dhe zgjedhja e Talat Xhaferit kryetar parlamenti. Këto zhvillime tregojnë se elitat politike shqiptare po avancojnë".
"Shumë miq, shumë njerëz, shumë studentë të mi, kanë përjetuar me tension të lartë sulmin që i është bërë deputetit Ziadin Sela. Ndërsa elitat politike e kanë menaxhur mirë situatën, duke mos lejuar daljen jashtë kontrollit të situatës. Mbrëmë nevojitej vetëm një palë. Nëse do të ishin shqiptarët sot do të kishim konflikt ndëretnik. Nëse do të ishin përkrahësit e LSDM-së sot do të kishim konflikt brenda-etnik. Kjo frymë e re vjen nga lideri i kësaj partie, Zoran Zaev".
Bakiu më tutje ka thënë se për bindjen e tij partia e Nikola Gruevskit nuk do të pushojë së tentuari ta bllokojë procesin e krijimit të institucioneve të reja.
"Zgjedhja e Talat Xhaferit kryeparlamentar nuk është e rastësishme. Ai është një nga themeluesit e BDI-së. Ka kohë të gjatë në kuvend dhe i njeh mirë procedurat".
"Mendoj që tentimet e VMRO-DPMNE për të bllokuar proceset nuk do të ndalen. Ata do ta sfidojnë zgjedhjen e Xaferit në Gjykatën Kushtetuese. Dhe duke marrë parasysh atë që dimë ne për vendimet e shkuara të këtij insitucioni, mund të shkojmë derjt problemeve më të mëdha". /klankosova.tv