Lajmet e fundit

Në selinë qendrore të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës të martën u shtuan hyrje-daljet.
Kjo gjallëri u nxit nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i të hënës së 21 dhjetorit, që e detyron vendin t’i nënshtrohet procesit të parakohshëm zgjedhor.
Kjo ishte edhe arsyeja pse u mblodh kryesia e partisë. Pas takimit, nënkryetari Ahmet Isufi tha se partia është gati për garë, ndonëse nuk zmbrapset nga ideja që Ramush Haradinaj të bëhet President i Kosovës.
Në Partinë Demokratike të Kosovës u ftua një konferencë për media ku thanë se e kanë pritur vendimin, meqë konsiderojnë se të dy qeveritë e kësaj legjislature dështuan në udhëheqje.
PDK-në kjo situatë e zë pa kryetarin Kadri Veseli që po gjykohet në Hagë. Prandaj, sipas ushtruesit të kësaj detyre Enver Hoxhajt, vendi për kandidatin për kryeministër ende është i lirë, derisa partia do të garojë e vetme.
Në Lëvizjen Vetëvendosje nuk u njoftua për ndonjë aktivitet të ngjeshur, veçse deputetja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku që shkoi në një takim komisioni në Kuvend u shpreh e bindur se ky subjekt po kthehet në pushtet.
Ndërkohë, ambienti te selia e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk është fort i përshtatshëm për organizim të ngjeshur.
Megjithëkëtë, edhe në këtë parti konfirmuan se mund t’i hyjnë garës zgjedhore.