Lajmet e fundit

Komuna e Gjilanit ka organizuar aktivitetin “Dita pa makina”, në kuadër të aktivitetit “Ta pastrojmë Kosovën”, me qëllim të sensibilizimit të qytetarëve për t’i shmangur veturat në mënyrë që ta ruajnë ambientin.
Në këtë aktivitet ka dalë edhe nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli bashkë me Komandantin e Policisë dhe zrytarë të tjerë komunalë të cilët kanë marshuar nëpër qytet me biçikleta.
“Kjo është një thirrje për të gjithë qytetarët e Gjilanit, që sa më shumë të përdorin biçikletat, sepse të gjithë ata që përdorin biçikletat janë më të shëndetshëm, shërbimet i kryejnë më shpejtë dhe njëkohësisht japin një kontribut të madh në ruajtjen e ambientit të pastërt”, ka thënë Ismajli.
Ai ka bërë të ditur edhe angazhimin e Komunës në ofrimin e shërbimeve më të mira në këtë drejtim dhe pa pagesë, njofton Klan Kosova.
“Komuna e Gjilanit është në përgatitjen e projektit për vendosjen e biçikletave në kënde të ndryshme nëpër qytet, që ato të mund të shfrytëzohen nga qytetarët e Gjilanit për shërbime më të mira për ta.
Do të jetë e thjeshtë, qytetarët do të mund ta marrin biçikletën në një rrugë apo pjesë të qytetit, të kryejnë shërbimin dhe ta dorëzojnë në një pikë tjetër në qytet.
Shfrytëzimi do të jetë pa pagesë, sepse po punojmë për shërbime më të mira për qytetarët dhe për krijimin e lehtësirave për ta”, ka potencuar ai.
Ndryshe, rruga kryesore nga rrethi në qendrën e qytetit e deri të universiteti, “Kadri Zeka” është e bllokuar për qarkullimin e makinave, nga ora 10:00 deri në orën 12:00.