Lajmet e fundit
Më 19 nëntor 1995 Nevio Scala vendosi që të fus në lojë Gianluigi Buffonin, që ishte hapi i parë drejt lavdisë për legjendën e portës italiane.

Saktësisht 20 vjet më parë, Nevio Scala mori vendimin më të madh në karrierën e tij si trajner – dhe më brilantin.
Më 19 nëntor 1995, ai i dha debutimin një 17 vjeçari në Serie A, kundër Milanit të Fabio Capellos – një skuadër legjendare që 18 muaj më parë kishte demoluar 4-0 Barcelonën në finale të Ligës së Kampionëve, transmeton Klan Kosova.
Emri i të riut ishte Gianluiggi Buffon.
“Luca Bucci ishte portieri ynë i parë, por ai ishte i lënduar”, sqaron Scala, tash president i Parmas.
“Për këtë shkak ne vendosëm që të inkuadronim të riun, Buffonin, në skuadër”.
“Ai filloi të stërvitej me ne të martën. Mbronte mirë, ishte i talentuar – gjëra që atij i dukeshin normale. Pastaj ne filluam stërvitjet me sulmues dhe askush nuk i shënonte dot gol atij”.
“Unë u ktheva kah trajneri i portierëve, Vincenzo Di Palma, dhe e pyeta nëse po shihte atë çka shihja unë. “Ky është fenomen”, tha ai. Të dy ishim pa fjalë”.
Scala gjithë javës mendoi për atë që kishte parë, por ende ishte i pasigurt nëse do t’i jepte pozitën e titullarit ndaj Milanit të frikshëm. Vizita në dhomat e zhveshjes i bëri të qartë gjithçka.
“Të shtunën vendosa të bisedoja me Gigin. Nuk i dhashë kohë të mendonte asgjë dhe i thashë:”Nëse të fus nesër në ndeshje?” Përgjigja e tij qe e shkurtër:” Pa problem trajner””.
“Ai e tha atë pa kurrfarë hezitimi dhe me qasje pozitive. Ai e dinte se çfarë po i kërkoja unë. Ishte një ndeshje ndaj Milanit. Dhe ne e dinim që debutimi ndaj një skuadre të madhe ishte sfidë. Por ai nuk e ndjente atë peshë. Kjo më bindi që të mos dyshoja në vendim”.
“Pastaj bisedova me portierin tjetër, Alessandro Nista, që mendonte se do të luante në vend të Buccit. I sqarova se ai ishte vendimi i duhur. Ai u ndje keq, por edhe ai e kishte parë talentin e Buffonit”.
Por vendimi i Scalas doli të jetë i drejtë. Buffon pati një ndër debutimet më të mira në Serie A, veçanërisht nga një i ri si ai.
Ai pothuaj i vetëm ndali Milanin - e sulmuesve si Roberto Baggio e George Weah.
Ndër më të mirat ishte një pritje e minutave të fundit përballë Marco Simeones.
Kështu Milani i yjeve u ndal pa gola, transmeton Klan Kosova.
Që atëherë Buffon ka ecur drejt një karriere legjendare.
Pas transferimit tek Juventus ai fitoi tetë Scudetto, mbajti plot 377 herë të paprekur portën për klubin dhe përfaqësuesen dhe ngriti trofeun e Kupës së Botës në vitin 2006.