Lajmet e fundit

Kërcimtarë e koreografë të vendit u mblodhën të premten për të shprehur shqetësimin për një deklaratë të ministrit të Kulturës, Hajrullah Çeku.
Ata zhvilluan një performancë rreth dyorëshe para Ministrisë së Kulturës, në Ditën Ndërkombëtare të Vallëzimit.
“Pikërisht ato deklarata, të cilat për neve kanë qenë të papranueshme dhe jemi ndier të fyer dhe keq që në shtetin tonë shkollimi nuk është duke u vlerësuar aq sa duhet,” deklaroi organizatori i protestës, Robert Nuha.
Ai thotë që kërkesa e tyre ishte që ministri të dalë në media dhe ta sqarojë situatën, si dhe të kërkojë falje.
E nga Ministria e Kulturës thonë se deklarata e ministrit i është referuar një opinioni të institucionit të Avokatit të Popullit për procesin e rekrutimit të drejtorit të Baletit Kombëtar.
“Në sqarimin që ai ka ofruar duke u thirrur në opinionin e Avokatit të Popullit, i është referuar nevojës për themelimin e drejtimeve të shkollimit universitar në balet, ndërsa paqëllimshëm në një moment e ka përmendur edhe koreografinë” tha zëdhënësja Zana Fetiu.
Derisa vetë ministri Çeku, me anë të një postimi në Facebook, njoftoi se është vendosur që parkingu aktual prapa Pallatit të Rinisë është lokacioni ku do të fillojë ndërtimi i Teatrit të Operës dhe Baletit.