Lajmet e fundit

Shkallët e Arbërisë në kryeqytet po bëhen me ngjyrat e Bashkimit Evropian.
Edhe shteti, rrugën drejt integrimit e ka orientuar pikërisht kah Unioni, madje Dita e Evropës që shënohet më 9 maj, është pjesë e kalendarit të festave zyrtare.
Por edhe ky vit, Kosovën e gjen pa liberalizim vizash e pa status të kandidatit. Por sipas presidentes Vjosa Osmani, BE t'ja hapë dyert Kosovës.
Ndërsa kryeparlamentari Glauk Konjufca konsideron se vonesa në këto procese është shndërruar në zhgënjim kolektiv për qytetarët.
Shënimi i ditës së Evropës, duke qenë se Kosova nuk është anëtare në këtë bashkësi, i asocion në diçka aktorit Jeton Zogjani.
"Kjo është sikur me ia festu ditëlindjen simpatisë", thotë ai.
Ky hedh kritika për mospunën e pushtetarëve në çështjet e integrimit.
Qytetarët janë të ndarë në mendime, nëse fajin për mosanëtarësim në BE e ka kjo e fundit apo Kosova.
Dita e Evropës shënohet që nga viti 1950, që kur ministri i Jashtëm francez, Robert Shuman, bëri thirrje për bashkim të shteteve evropiane në prodhimin e qymyrit dhe çelikut, e që më vonë pasoi me themelimin e Bashkimit Evropian, që tash ka 27 shtete anëtare.