Lajmet e fundit

Në Ditën Botërore të Pastrimit organizatorët e Let’s do it bashkë me ministrin në detyrë të mjedisit, Fatmir Matoshi, dhe përfaqësuses të FSK-së kanë pastruar deponin afër stadiumit "Fadil Vokrri", njofton Klan Kosova.
Kjo hapësirë ishte pastruar edhe muaj më parë, por sipas Luan Hasanajt nga Let’s Do it Kosova, tha se kjo ka ndodhur sërish nga persona të ndryshëm.
“Jemi në qendër të Prishtinës, një lokacion i mbushur me mbeturina, jemi lodh duke fajësuar qytetarët e institucionet dhe duke mos ndërmarrë veprime, kjo deponi që po pastrohet është krijuar nga një komunitet i taksistëve që po ofrojnë shërbime të bartjes së mbeturinave në Prishtinë dhe komuna tjera dhe është e patolerueshme që institucionet nuk po ndalojnë këta njerëz”, tha Hasanaj.
Ndërkaq Matoshi tha se ka rëndësi që Kosova është koordinatore e kësaj dite për 157 vende të botës.
“Kemi pasë aksione të përditshme për 3 muaj ku kemi arrit të tregojmë vullnetin që të jetojmë në një vend të pastër, kemi ngrit vetëdijen dhe ndërgjegjen institucionale për çështjen me menaxhim të mbeturinave”, tha Matoshi.
Në mesnatë në shkollën finlandeze është aktivizuar një qendër e thirrjeve prej ku po realizohen lidhje të drejtpërdrejta nga e gjithë bota për të treguar se si po shkon aksioni.
Pos kësaj hapësire gjatë ditës aksione të tilla do të ketë vazhdimisht, ndërkaq në qendrën e thirrjeve do të ketë edhe aktivitete kulturore.