Lajmet e fundit

Është mbajtur takimi i Komitetit Drejtues të Projektit për Shëndetësinë Kosovare.
Ky është projekt i Qeverisë, i financuar nga huamarrja e Bankës Botërore dhe synon përkrahjen e themelimit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore dhe forcimin e kujdesit parësor shëndetësor, njofton Klan Kosova.
Ministri Ismaili njoftoi anëtarët e Komitetit për rikonstruktimin e projektit, i cili është bërë me qëllim të adaptimit të aktiviteteve, bazuar në kapacitetet absorbuese të Ministrisë së Shëndetësisë, gjegjësisht Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
“Ne jemi në proces të finalizimit të rishikimit të Ligjit për Shëndetësi dhe Ligjit për Sigurime Shëndetësore që do të mundësojnë funksionalizimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, duke përfshirë këtu dhe skemën e barnave jashtë-spitalore”, tha ministri Uran Ismaili.
Vëzhdues për këtë takim ishte dhe zëvendës menaxheri Bankës Botërore në Kosovë, Diego Garrido Martin.
“Kemi parë ndryshime shumë të mëdha që kur Ministri Ismaili ka marrë drejtimin e këtij sektori. Nuk kam parë asnjë ministër, i cili i ka kushtuar kaq shumë kohë projektit dhe ka qenë shumë i involvuar me detajet e tij. Këtë rikonstruktim e shohim si trajektore shumë pozitive, prandaj Banka Botërore qëndron gati për të ju mbështetur në çfarëdo mënyre që mundet. Sektori shëndetësor është çelësi për zhvillimin e Kosovës dhe do të jemi pranë jush”, ka thënë Garido.
I pranishëm ishte edhe ministri i Financave, Bedri Hamza.
"Nëse bëjmë krahasime në mes të viteve, ka ndryshime të mëdha të gjendjes në shëndetësi. Prandaj, Ministria e Financave do të jetë afër në mbështetje të këtij sektori, të këtij projekti, i cili mund të jetë shembull i mirë i vënies së një bashkëpunimi edhe më të madh me Bankën Botërore”, ka thënë ai.
Koordinatorja e projektit, Dr. Fatime Arenliu - Qosaj, tha se ishte me shumë rëndësi që Komiteti Drejtues, në kuadër të detyrave të veta, u zotua që ta intensifikojnë tutje dinamikën e implementimit të projektit, në mënyrë që të arrihen të gjitha rezultatet e parapara me këtë projekt
Projekti i Shëndetësisë Kosovare është bërë efektiv në maj të vitit 2015 dhe pritet të përfundojë në tetor të vitit 2019.