Lajmet e fundit

Pa luftë, pa beteja, por me padëgjueshmëri deri të arrihet zgjidhja.
Kjo filozofi gandiste, që e kishte ndjekur Ibrahim Rugova në vitet e 90-ta i kishte impresionuar austriakët. Për mënyrën e rezistencës ndaj regjimit serb, e kishte tejkaluar edhe politikën.
"Për mua nuk ishte kurrë një politikan në kuptimin e drejtpërdrejtë. Mendoj se ishte intelektual dhe person filozofik. Mënyra e tij paqësore ishte shumë bindëse", shprehej Erhard Busek, ish-zv.kancelar i Austrisë, njofton Klan Kosova.
Me diskursin e tij të qetë ishte përgjigjur edhe ndaj parashikimeve për luftë, në një bisedë me ish-diplomatin Albert Rohan.
"I thashë se herët apo vonë, të rinjtë do të marrin armët. Është e paevitueshme nëse nuk ndodh asgjë. Ai më tha se do t'u përgjigjem atyre: "Ne jemi ende këtu. Shqiptarët e Kosovës janë ende në Kosovë. Dhe kjo është arritje e madhe", tregonte Rohan.
Ndikimi i tij popullor u ishte dukur fort interesant aleatëve ndërkombëtarë, asokohe.
"Ishte një njeri pa pushtet, por me personalitet, që mbronte me mjete paqësore të drejtat e një pakice që nuk kishte mjete për t'u mbrojtur, pa para, pa shokë. Shumë person mbreslënës", deklaronte Andreas Kohl, ish-kryetar i Parlamentit të Austrisë.
Kjo kishte bërë që Rugova të njihej si president nga austriakët, edhe pse nuk e gëzonte zyrtarisht këtë pozitë.
Ish-akterët austriakë kanë pranuar se Rugova kishte arritur ta ngriste temën e Kosovës në qarqet botërore, përmes thirrjeve dhe metodave të tij paqësore, ani pse kundërshtar e kishte Sllobodan Millosheviqin, i cili cilësohej si politikan agresiv në Vjenë.