Lajmet e fundit
“Të jesh apo të mos jesh” – deri te dilema hamletiane ka arritur çështja e zhvillimit ekonomik për Kosovën, sepse në qoftë se nuk bëhet një rritje më e madhe në këtë segment do të përballemi me probleme më të mëdha, edhe atë jo vetëm ekonomike, por edhe sociale dhe politike.

Kështu u tha sot, në konferencën e cila u mbajt me rastin e 20-vjetorit të Institutit RIINVEST.
Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se Qeveria kërkon një bashkëpunim më të ngushtë me të gjitha institucionet e dijes, sepse ka nevojë të gjejnë zgjidhje për çështjet që të gjithëve në Kosovë na preokupojnë më së shumti. Sipas tij, çështja kryesore është zhvillimi ekonomik i vendit, zgjidhja e problemit të papunësisë dhe gjetja e mundësive dhe perspektivave për punësim.
"Zhvillimi ekonomik e forcon shtetin ligjor por edhe forcimi i shtetit ligjor po ashtu është parakusht i zhvillimit ekonomik, i tërheqjes së investimeve të huaja direkte dhe i stabilitetit ekonomik të vendit” ,tha shefi i qeverisw.
Ndërkaq, zëvendësdrejtori i Misionit në Kosovë të USAID-it, Chris Edwards tha se kjo konferencë sot e adreson temën e cila është shumë e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës – temë kjo e zhvillimit ekonomik të vendit, zbutjes së papunësisë dhe krijimit të vendeve të reja të punës.