Lajmet e fundit

Në orët e para të mëngjesit në Kishnicë të Graçanicës u dëmtua baneri me shkrimin “Liria ka emër”.
Për këtë rast, banorët e kësaj ane lajmëruan policinë e cila doli në vendin e ngjarjes. Graçanicasit thonë se baneri u dëmtua pas reagimeve të kryetarit të Graçanicës, Srgjan Popoviq.
Zëvendëskryesuesi në Kuvendin Komunal në Graçanicë, Granit Gashi, shkoi që ta takojë kryetarin, por ky i fundit nuk iu lajmërua.
Pos banorëve, reagime për djegjen e banerit pati edhe nga vetë iniciatorët e platformës “Liria ka emër”, për çka edhe mbajtën konferencë për media, ku thanë se ky akt vandal vjen nga Beogradi zyrtar që i ka penguar lufta për liri.
Nga këtu u tha se këto mesazhet e vendosura në billborde nuk kanë synim të cenojnë idenë e askujt brenda vendit, derisa bëjnë me dije se baneri i djegur në Kishnicë do të zëvendësohet me të riun.
Klan Kosova provoi të marrë një përgjigje nga kryetari i Graçanicës, por ai nuk ishte i qasshëm, ani pse ditë më parë kishte bërë thirrje që mbishkrimi “Liria ka emër” të largohet.
Ndërsa zëdhënësit i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, konfirmoi se është iniciuar një hetim lidhur me rrethanat që karakterizojnë këtë rast.