Lajmet e fundit

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili duhet të përmbyllet me një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe juridikisht obliguese, do të jetë një nga çështjet parësore, por edhe sfidë kryesore për qeverinë e ardhshme të vendit, e cila pritet të dalë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 6 tetor, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.
Politologu Ramush Tahiri, thotë që presioni ndërkombëtar për të rifilluar dialogun me Serbinë, ashtu siç ishte ndaj Qeverisë së Kosovës në largim, do të jetë edhe ndaj qeverisë së ardhshme.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, pas këtyre zgjedhjeve, është mirë që të jetë një qeveri e spektrit të gjerë dhe të ketë numër të mjaftueshëm të votave, që në mënyrë të zotërueshme dhe kompetente t’i udhëheqë bisedimet me Serbinë, drejtë arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve. Këto bisedime duhet të çojnë në njohje reciproke, por para së gjithash, duhet t’i hapin Kosovës perspektivën euroatlantike”, tha Tahiri, për Radio Evropa e Lirë.