Lajmet e fundit

Qysh natën e 14 shkurtit kur doli në paraqitjen e parë pas fitores në zgjedhjet parlamentare kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha se dialogu me Serbinë nuk është top prioritet i tij.
Në rast se bëhet kryeministër Kurti ,thotë se fushat ku ai do punojë fort janë krijimi i vendeve të punës dhe drejtësia e tek më vonë vijnë bisedimet me Beogradin.
Ky qëndrim ka bërë jehonë në kancelaritë kryesore politike nëpër botë.
Në Washington gazetarët pyetën zëdhënësin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, lidhur me këtë çështje.
“Kur puna vie te dialogu me Serbinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës përkrahin fuqishëm dialogun e ndihmuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë që ka për qëllim marrëveshje normalizimi që duhet të përqendrohet te njohja reciproke. Ne do të inkurajojmë Qeverinë e re, pasi të formohet, të prioritizojë këto negociata", tha Ned Price , zëdhënës në DASH.
Kaq qartë për pritjet e Administratës së re amerikane u deklarua edhe vetë Presidenti Joe Biden, në letrën uruese për 13 vjetorin e pavarësisë që i dërgoi ushtrueses së detyrës së presidentes Vjosa Osmani.
Biden mes tjerash shkroi se përpara ka shumë punë për tu bërë përfshirë arritjen e ujdisë gjithëpërfshirëse me Serbinë e përqendruar në njohje të ndërsjellë.
Pranimin reciprok nuk e kanë përmendur liderët tjerë botëror që shkruan telegrame urimi për 17 shkurt Osmanit që bashkë me Kurtin garuan në një list.