Lajmet e fundit

Korporata Devolli, pas konstatimit të bërë nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës se gazeta Kosova Sot, me artikullin “Skandali i grurit kancerogjen fle në sirtarët e prokurorisë” nuk ka thënë të vërtetën, ka vendosur që atë ta padis për shpifje dhe denigrim.
Këtë e ka bërë të ditur përmes një komunikate dërguar mediave.
Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) pas shqyrtimit të ankesës së “Devolli Corporation” ndaj Gazetës “Kosova Sot”, konstatoi se në artikullin “Skandali i grurit kancerogjen fle në sirtarët e prokurorisë”, kjo gazetë ka shkelur Kreun II (Raportimi i së vërtetës), pikën 1 të KMSHK-së, duke dështuar kështu që të dëshmoj se “Devolli Corporation” ka importuar grurë kancerogjen.
Për më tepër në këtë raport theksohet se "Instituti Bujqësorë i Kosovës" dhe "AVUK-u", kanë konstatuar se gruri që është importuar nuk është kancerogjen.
Gjithashtu, KMShK konstatoi se gjuha e përdorur në artikullin e Gazetës “Kosova Sot”, me titull “Republika e Devollit perandori e krimit”, paraqet shkelje të Kreut III, pika 2 (Nxitje e urretjes, paragjykim, denigrim, etj).
Vlenë të theksohet se në mbledhjen e Bordit të KMSHK-së, për shqyrtimin e këtyre ankesave, kanë qenë të ftuar edhe përfaqësuesit e Gazetës “Kosova Sot”, të cilët nuk i janë përgjigjur ftesës.
Po ashtu, redaksia e kësaj gazete nuk kishte ndonjë përgjigje lidhur me këto ankesa.
"Devolli Corporation" njofton se do të ushtroj të drejtën ligjore duke deponuar padi ndaj këtyre shpifjeve dhe denigrimeve, si dhe do të kërkojë kompenzim për dëmin e shkaktuar.
Të gjitha të ardhurat që do të arkëtohen nga ky kompenzim, do të dhurohen në formë të bursave për studentët e gazetarisë.
"Devolli Corporation" gjithmonë ka inkurajuar dhe vazhdon të inkurajoje lirinë e medias dhe fjalën e lirë, duke vlerësuar se ato janë themelet e një shoqërie demokratike. Njëkohësisht, kërkon përmbajtje nga gjuha e urrejtjes dhe shpifjeve që bëhen ndaj bizneseve kosovare nga gazeta e lartëcekur.