Lajmet e fundit

Mbledhja e tretë e Qeverisë së Kosovës e kryesuar nga kryeministri i ri i vendit, Ramush Haradinaj ka përfunduar disa minuta më herët.
Në këtë mbledhje ku kanë marrë pjesë të gjithë ministrat e Qeverisë është shqyrtuar, votuar dhe miratuar Programi Qeverisës 2017 – 2021 i qeverisë Haradinaj dhe i njëjti është proceduar për në Kuvendin e Kosovës.
Por këtë program qeverisës nuk e kanë mbështetur të gjithë ministrat pasi ai i Bujqësisë, Nenad Rikallo ka abstenuar me arsyetimin se për këtë program duhet të kontriubuohet në Kuvend, pra sipas tij, i njëjti duhet të diskutohet në Kuvend.
Në ndërkohë që kryeministri Haradinaj ka thënë se në këtë program mund të participohet akoma, qoftë nga ana e Kuvendit apo shoqërisë civile, njofton Klan Kosova.
Megjithatë nuk janë dhënë shumë detaje lidhur me përmbajtjen konkrete të këtij programi derisa Haradinaj ka thënë se disa nga prioritetet kryesore janë sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik dhe disa fusha të tjera të rëndësishme.
Në ndërkohë që projekti i dytë që është miratuar në mbledhjen e sotme është Programin legjislativ i Qeverisë për vitin 2017, njofton Klan Kosova.
Qeveria Haradinaj ka shfuqizuar planin strategjik të Qeverisë Mustafa, plan me të cilin ishin dakorduar ligjet që do të aprovoheshin në këtë vit.
Poashtu është marrë edhe vendimi për Ligjin për Liritë Fetare, një ligj që për vite të tëra kalon nga Qeveria në Kuvend dhe anasjelltas por që ky Ligj është miratuar sot dhe është proceduar për në Kuvend.
Haradinaj krejt në fund të kësaj mbledhje ka përmendur edhe çështjen e vrasjes së të riut në Prishtinë duke thënë se një gjë e tillë duhet të mos përsëritet dhe ka ftuar institucionet e duhura që ta zbardhin rastin.