Lajmet e fundit

I ftuar në Orën e Fundit në “Kosova Direkt” sonte ishte Këshilltari i Ministrit të Arsimit, Azem Guri me të cilin është diskutuar lidhur me testin e maturës që do të mbahet nesër.
Sipas Gurit të shtunën provimit të maturës do t’i nënshtrohen 32 mijë nxënës në 258 qendra në tërë Kosovën dhe me rreth 3 mijë zyrtarë që do e mbikëqyrin këtë proces.
Ai ka treguar se testet ndodhen në vend të sigurt.
“Testet sot janë paketuar, ndodhen në vend të sigurt, nën vëzhgim të kamerave si dhe policëve”.
“Testet mbahen dhe ruhen në vend të sigurt. Nesër që nga ora 6 e mëngjesit do të ndahen nëpër qendra”.
Guri ka treguar se edhe mbikqyrësit por edhe maturantët janë informuar për rregullat e këtij testi.
“Nga krejt kjo përgatitje në 258 qendra administruesit janë të informuar me rregulla. Edhe maturantët janë të pajisur me fletpalosje. Në takimin e mbajtur dje, Bajrami ka kërkuar që secili të jetë në përgjegjësi të detyrës, nga administruesi, mbikqyrësi dhe komisionerët”.
“Mbi bazën e kësaj gjithë këta zyrtarë kanë firmosur një kontratë me Ministrinë e Arsimit që i marrin përgjegjësit”.
“Edhe maturantët janë të informuar edhe me detyrat dhe përgjegjësit”.
Guri gjithashtu ka treguar se në cilët lëndë nesër maturantët do t’i nënshtrohen provimit.
“Nesër maturantët do i nënshtrohen pyetjeve në shqip, anglisht dhe matematikë”.
Ai ka bërë të ditur që formati i provimit të maturës ka ndryshuar nga ai që ishte vjet.
“I kanë 100 pyetje e jo si herën e kaluar kur në pjesën e parë i kishin 120 e në të dytën 80”.
Të gjithë nxënësit që arrinë 40 përqind të pikëve do ta kalojnë maturën shtetërore kurse rezultatet do të shpallen më 30 qershor.
Por të gjithë ata që nuk do e kalojnë provimin e maturës në afatin e parë do e kenë këtë mundësi në afatin e gushtit, ku provimit do mund t’i nënshtrohen më 27 gusht pjesën e parë kurse me 5 shtator pjesën e dytë.