Lajmet e fundit

Zëdhënës i Komunës së Pejës, Faik Zeka, ka folur për reshjet e fundit të shiut që e vërshuan këtë komunë.
Ai, në një intervistë për Edicioni Special, ka thënë se gjendja tani është më e qetë, pasi intervenimi i komunës ishte i shpejtë.
“Gjendja tash është më e qetë pasi janë ndalë reshjet e shiut. Në fillim ishte një shi më i rrëmbyeshëm dhe nuk mund ta përballonin kanalet e ujit, kështu që kishte dalje në qytet. Për fat të mirë edhe intervenimi ishte i shpejtë edhe ndalja e shiut ishte e shpejtë, kështu që na ndihmoi edhe zoti edhe puna. Pjesa te Çokolica nuk ka mundur ta përballojë ujin, dhe në Karagaq, te një gyp i kthyer, që u desh të shkohej me ekip për të intervenuar edhe aty”, ka thënë Zeka, njofton Klankosova.tv
Sipas tij, situata ishte alarmante, andaj edhe dolën disa ekipe të komunës, përfshirë edhe kryetarin, si dhe zjarrfikësit.
Zeka shtoi se ende nuk kanë pranuar ndonjë raportim nga bizneset ose ndonjë familje që këto vërshime t’i kenë shkaktuar ndonjë dëm, por tha se presin edhe nesër të kontaktohen nga ta. Megjithatë, sipas tij, komuna nuk e ka buxhetin e ndarë për fatkeqësi natyrore, por shtoi se do të shikojnë që bashkë me ministrat e linjës të dalin me zgjidhje për të prekurit nga vërshimet.