Lajmet e fundit

Dështon transferimi i Luiz Adrianos në Kinë. Pasi u paraqit në shtetin aziatik dhe gati për të firmosur me klubin e ri, sulmuesi njoftoi kthimin në Itali.
Braziliani postoi një fotografi në profilin e tij në Instagram, në momentin kur sapo kishte hipur në avion, disa minuta përpara nisjes. Në këtë mënyrë dështon marrëveshja ndërmjet Milanit dhe kinezëve të Jangsu Suning.
Në këtë mënyrë, arkat e klubit humbasin 14 milionë euro të ardhura dhe tashmë kuqezinjtë duhet të rishikojnë planet për merkaton e janarit.
Luiz Adriano do të kthehet në Milanello, për t’u stërvitur nën urdhërat e trajnerit Sinisa Mihajlovic. 28-vjeçari zbarkoi të hënën në Kinë dhe në aeroportin e Nançinos u prit nga dhjetëra tifozë entuziastë.
Megjithatë aventura e tij e re në Azi zgjati diçka më tepër se 24 orë. Në momentin e hedhjes së firmave në kontratë, klubi kinez nuk respektoi akordin parimor të arritur në takimet e zhvilluara në Milano, që lidheshin me pagesën.
Përfaqësuesit e lojtarit dhe drejtuesit e Jangsu Suning kishin rënë dakord për kontratë 5-vjeçare me rrogë 8 milionë euro në sezon. /supersport.al