Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Zhvillimin Ekonomik, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal e paraparë të mbahej sot, ka dështuar në mungesë të kuorumit.
Të pranishëm ishin Dardan Sejdiu nga PSD-ja, Duda Balje nga 6+ dhe Hykmete Bajrami nga LDK-ja.
Sejdiu, zëvendëskryetar i komisionit, tha se po ndihet i zhgënjyer me mosprezencën e anëtarëve, duke shtuar se në shqyrtimi ishin dy ligje shumë të rëndësishme.
“Edhe pse i kemi dy ligje të rëndësishme që është ligji për mbrojtjen e konsumatorit, ky ligj e vendos konsumatorin në një situatë të mirë, sot do ishte mbledhja që do të procedohej në kuvend ky ligj, por në mungesë kuorumi duhet ta ndërpresim”.Ky komision është i rëndësishëm sepse ne do merremi me çështjen kryesore atë të zhvillimit ekonomik. Jam i zhgënjyer”.
Në rend dite ishin; Shqyrtimi i Raportit me Rekomandime për Projektligjin nr.06/L-034 për Mbrojtjen e konsumatorit; Shqyrtimi i Raportit me amendamente i Projektligjit për Miniera dhe Minerale; Shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit të Aviacionit Civil – AAC për vitin 2017; Shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës – AKK për vitin 2017.