Lajmet e fundit

Policia e Kosovës, përmes Departamentit Hetues, së fundi ka intervistuar edhe L.K., personin për të cilin bashkëfshatarët e të dy palëve të përfshira në këtë rast pretendojnë se mund të ketë lidhje me vrasjen e Enver Bajraktarit.
Sipas informatave që ka siguruar redaksia e MAT në Klan Kosova, ai është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit dhe pas marrjes në pyetje është liruar.
Ende nuk dihet nëse L.K. mbetet nën hetim nga prokuroria, dhe çfarë ka deklaruar ai në polici për ditën kritike, pasi as prokurori i rastit, Arben Hoti, nuk ka qenë i gatshëm të komentojë këto detaje në këtë fazë të hetimeve.
L.K., pas intervistimit nga policia, është rikthyer në shtetin evropian ku kishte qenë duke punuar më herët. Në Kosovë, ai ka angazhuar avokatin Visar Rreci.
Redaksia e emisionit MAT ka provuar ta kontaktojë avokatin Rreci për një prononcim, por ai ka deklaruar se ka vlerësuar të mos komentojë në këtë fazë të hetimeve.
Për të gjitha këto pretendime, histori të kaluara, rrëfime, dyshime e supozime, Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Prokurori i rastit në Departamentin e Krimeve të Rënda, Arben Hoti, është i njoftuar.
Por, a do të konfirmohen këto pretendime apo jo, mbetet të shihet. Përgjigja do të vijë vetëm kur prokuroria të përfundojë hetimet dhe të ngrejë aktakuzën për këtë rast, e cila, së bashku me provat ligjore, do të dorëzohet në gjykatë për t’u shqyrtuar.
Enver Bajraktari ka vdekur – vdekja e tij nuk erdhi nga natyra. Ata që e shkaktuan këtë vdekje ende nuk kanë zbuluar pasqyrën e plotë të motivit dhe mënyrës së krimit.
Prokuroria dhe organet e rendit po punojnë intensivisht që çdo detaj të dalë në shesh.
Deri atëherë, Top Kolshi mbetet i vetmi i paraburgosur si i dyshuar për vrasjen e Velit. /Klankosova.tv