Lajmet e fundit

Dje, në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, një trup gjyqësor i përbërë nga tre gjyqtarë ndërkombëtarë e ka dënuar me 15 vjet burg një person për një vrasje të ndodhur më 22 mars të vitit 2013 në Vushtrri.
"Në pajtim me Nenin 366, paragrafin (1), të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës (KPPK), në seancë publike, i akuzuari u SHPALL FAJTOR dhe u DËNUA me 15 (pesëmbëdhjetë) vjet burgim për veprën penale të vrasjes së rëndë (Neni 179, paragrafi 1, nën-paragrafi 1.5 në lidhje me Nenin 31 të Kodit Penal). I pandehuri veproi në bashkëkryerje me një person tjetër, i cili shtiu tri herë me armë me ç’rast njëra prej të shtënave e goditi dhe e vrau viktimën" bën të ditur EULEX-i.
Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese brenda 15 ditëve prej pranimit të një kopjeje të këtij aktgjykimi (Neni 380, paragrafi (1) KPPK).