Lajmet e fundit

Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur aktgjykimin ndaj kryetarit të Komunës së Kllokotit, Sreqko Spasiq, duke e gjykuar me 10 muaj burgim, dënim që nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari në afat prej 2 vjetëve nuk kryen vepër tjetër penale.
I akuzuari është shpallur fajtor, pasi në cilësinë e kryetarit të Komunës së Kllokotit, ka tejkaluar autorizimet e tij në atë mënyrë që, me datë 3 shkurt 2014, ka nxjerrë aktvendimin me numër protokolli 4134/1, me të cilin pa ndonjë arsye ligjore e ka larguar të dëmtuarin Trajan Stojanoviq nga vendi i punës, përkatësisht nga pozita e drejtorit të Shkollës fillore “Marko Rajkoviq” në fshatin Vërbovc, i cili ka pasur mandat deri më 2 dhjetor 2015,
"Po të njëjtën datë me 3 shkurt 2014 ka nxjerrë edhe aktvendimin me numër protokolli 4133/1, të cilin pa ndonjë arsye ligjore e ka larguar dëmtuarin Bozhidar Dejanoviq nga vendi i punës, përkatësisht nga pozita e drejtorit të Shkollës Ekonomike – Teknike në fshatin Vërbovc, e i cili ka pasur mandat deri më 2 dhjetor 2015".
Me këtë i akuzuari Sreqko Spasiq ka kryer veprën penale: keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Të dëmtuarit Trajan Stojanoviq dhe Bozhidar Dejanoviq, për realizimin e kërkesës pasurore juridike, udhëzohen në kontest civil, transmeton Klan Kosova.