Lajmet e fundit

Viteve të fundit disa objekte të cilat gjenden në Zonën Historike në Prizren janë duke u dëmtuar, përfshirë këtu edhe shtëpi të vjetër të cilën e kaploi zjarri mëngjesin e së martës.
Drejtori për Qendrën Rajonale të Trashëgimisë, Samir Hoxha, nuk përjashton mundësinë që disa prej këtyre dëmtimeve mund të jenë të qëllimshme përderisa nuk anashkalon edhe shkatërrimin nga faktori natyrë.
Në lidhje me ruajtjen dhe restaurimin e këtyre objekteve Hoxha ka bërë të ditur që kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me ç’rast janë ndarë 460 mijë euro për kujdesin e objekteve në Zonën Historike në Prizren.
“Ka një numër të madh të mekanizmave që përpiqen të bëjnë ruajtjen dhe mbrojtjen e tyre, por përkundër këtij fakti jo çdo herë kemi arritur të tregojmë përpikëri për të gjitha qendrat. Ka raste ku në mënyrë të qëllimshme individë të pandërgjegjshëm ndërhyjnë nëpër asete të trashëgimisë kulturore, ndërsa disa janë shkatërruar edhe nga faktori natyrë. Shuma e ndarë prej 460 mijë eurosh do të jap mundësi ndërhyje nëpër tre kategori të ndërtesave. Shtëpitë e banimit që rrezikohen nga shkatërrimi, monumentet dhe asetet publike si dhe ndërhyrje në konservimin dhe restaurimin e monumenteve” ka thënë Samir Hoxha në një intervistë në Kosova Direkt në Klan Kosova.