29.03.2017 · përditësuar para 3412 dite1 min lexim
Dëmtimi i pësuar me Kombëtaren ka lënë pa stërvitje Elseid Hysajn te Napoli, pak ditë para ndeshjes shumë të rëndësishme kundër Juventusit.
Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare pësoi një dëmtim në minutat e fundit të sfidës ndaj Bosnjës dhe pas sfidës pranoi se ndjente pak dhimbje.
Mbrojtësi i djathtë është një element i rëndësishëm i Napolit, ndaj ai pas mbërritjes në Itali, ka udhëtuar menjëherë drejt klinikës së klubit ku i është nënshtruar një kontrolli të hollësishëm për të parë gjendjen e tij.
Mediat italiane raportojnë se sinjali më pozitiv deri tani është se kavilja e dëmtuar nuk ka pësuar ënjtje, ndaj pritet një riaftësim i shpejtë i futbollistit i cili sot është lënë pushim në stërvitjen e pasdites. Ai është lënë në dorë të fizioterapistëve të klubit, të cilët do të mundohen ta riaftësojnë në kohë nëpërmjet masazheve, siç kanë bërë që sot.
Ndeshja e Serisë A mes Napolit dhe Juventusit luhet të dielën në darkë, ndërsa dy skuadrat do të ndeshen përsëri edhe të mërkurën, këtë radhë për Kupën e Italisë.
●●●
Shpërndaje këtë artikull
K
SHKRIMI NGA
KLANKOSOVA
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.