Lajmet e fundit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tashmë ka paralajmëruar se Marrëveshja për Demarkacionin mund të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit po që se nuk arrin të rinegociohet me Malin e Zi. Ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare konsiderojnë se Arbitrazhi nuk është zgjidhja e duhur. Sipas tyre, ky opsion përdoret i fundit, vetëm atëherë kur të dyja shtetet mbeten pa rrugëdalje.
Demarkacioni me Malin e Zi po vazhdon të ngelet pa zgjidhje. Ani pse kjo marrëveshje u nënshkrua para rreth dy vjetësh ende nuk ka arritur të marrë një epilog. Përkundrazi, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tashmë ka paralajmëruar që kjo marrëveshje mund të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit po që se nuk arrin të rinegociohet me Malin e Zi (pas gjetjeve të komisionit të ri, të emëruar pikërisht për demarkacionin).
Përderisa anëtarët e Komisionit thonë se tashmë janë në fazën përfundimtare të analizimit të të gjeturave, zyrtarë të Qeverisë thonë se hapat e mëtejmë për Demarkacionin varen pikërisht prej këtyre të gjeturave.
Porse, meqë versioni i tanishëm nuk i ka dy të tretat në Kuvend, sipas tyre, kjo marrëveshje mund të përfundojë në Gjykatën e Arbitrazhit. Nga ana tjetër, ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare konsiderojnë se Arbitrazhi nuk është zgjidhja e duhur. Sipas tyre, ky opsion përdoret i fundit, vetëm atëherë kur të dyja shtetet mbeten pa rrugëdalje. Kurse, partitë opozitare konsiderojnë se ia vlen të humbet kohë për të gjetur të vërtetën për demarkacionin, edhe nëse mund të ketë vonim të liberalizimit, shkruan "Zëri".