Lajmet e fundit

Këtë javë pritet që Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin mes Kosovës e Malit të Zi të dalë për shqyrtim në seancë plenare, pavarësisht kundërshtimeve të opozitës dhe një grupi të ekspertëve, shkruan Gazeta Zëri.
Kuvendi i Kosovës, pavarësisht kundërshtimeve të mëdha dhe tensionimit të situatës, do ta qesë në shqyrtim Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi në një seancë plenare, e cila pritet të mbahet këtë javë.
Pozita është e vendosur që të ratifikojë këtë Marrëveshje, derisa opozita bën thirrje për refuzimin e saj, përndryshe do të tensionohet situata.
Tashmë, materiali rreth këtij Projektligji u është shpërndarë deputetëve dhe vetëm pritet shqyrtimi i tij, në njërën nga seancat që do të vendosë Kryesia e Kuvendit.
Nënkryetari i Kuvendit nga PDK-ja, Xhavit Haliti, ka thënë për Zërin se ata e kanë obligim që çështjet që i dërgon Qeveria t’i qesin në rend dite.