Lajmet e fundit

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, iu ka bërë thirrje politikanëve dhe qytetarëve që ta dënojnë njëherë përgjithmonë qasjen e dhunës, pas rastit të fundit ku u sulmua fizikisht gruaja e Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.
“PDK do të qëndrojë si gjithmonë në ballë të procesve për ta mbrojtur shtetin dhe qytetarin nga çdo ambicie e sëmurë për pushtet”, tha Deliu në konferencën për media të PDK-së.
Për më tepër, Deliu akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për gjuhën e urrejtjes dhe gjuhën kërcënuese e cila sipas saj përdoret nga eksponentë të kësaj partie.
Deli ka kërkuar për kapjen sa më të hershme të autorëve dhe vënien e tyre para drejtësisë, por edhe sipas saj, të dhunuesve të rendit demokratik në vend, të cilët ajo tha se tash sa kohë po djegin vetura private të njerëzve, po shkatërrojnë prona private, po i shkatërrojnë isntitucionet e vendit, dhe po i sulmojnë familjarët e kundërshtarëve politikë.
Ajo iu bëri thirrje qytetarëve që ta dënojnë njëherë e përgjithmonë këtë qasje të dhunës së hapur e cila, sipas saj, kishte filluar si gjuhë politike dhe diskurs.
“Nesër ne nuk e dimë se çfarë na pret”, përfundoi Deliu.